HomeE Jona

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, ja çfarë u diskutua

Ka përfunduar takimi në mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell.

Kryeministri Hoti, pas takimit ka thënë se e vetmja zgjidhje është njohja reciproke në mes Kosovës e Serbisë dhe se Kosova ka mbështetjen e përfaqësuesve të BE-së për zgjidhjen e çështjeve në mes dy vendeve tona.


”Kemi bërë progres edhe tek tema e zhvillimit ekonomik detajet tjera do t’i mësoni ditëve në vazhdim. Jemi duke diskutuar, ka progres presim javën e ardhshme të detajizojmë këto çështje. Këto janë biseda të nivelit politik, sepse jemi në fazën finale të përmbylljes së marrëveshjes finale duhet vullnet të të dy palëve dhe dedikim mbështetës.”, tha Hoti.

Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se në praninë e Josep Borrell janë diskutuar tre tema: të pagjeturit, dëmshpërblimet e luftës dhe ekonomia.

Vuçiç thotë se për dëmshpërblimet e luftës ka refuzuar kategorikisht teksa për të pagjeturit nga lufta ka thënë se ky diskutim do të vijojë të mërkurën.

‘’Ne kemi thënë se Serbia nuk do të mbrojë askënd dhe se jemi të gatshëm të përgjigjemi në secilën kërkesë të shqiptarëve. Nëse duan të tregojnë në hartë që ka vendvarrim të shqiptarëve, ne do të tregojmë se a ka në atë vend ndonjë gjë apo jo. Këtë të drejtë e kemi kërkuar edhe ne prej tyre. Pasi ne deri më tani nuk kemi pasur qasje në vendet si Koshare. Njëra prej çështjeve ishte edhe për dëmshpërblimet e luftës. Kam refuzuar, kam thënë se nuk ka kuptim të flasim për këtë.’’- tha Vuçiç

Ndërsa i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zbuluar se takimi i radhës në mes Hotit dhe Vuçiçit do të vazhdojë në fillim të shtatorit.

“Takimi i radhës i nivelit të lartë do të vazhdojë në fillim të shtatorit”, është shprehur Lajçak.

Sipas Lajçak

“Sot mbajtëm takimin e dytë të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE pas rifillimit. Falënderoj të dy palët që ishin të pranishme në Bruksel dhe angazhimin që treguan. Diskutimet e sotme ishin të fokusuara në dy elemente: E para personat e zhdukur dhe personat e zhvendosur. Për temën e parë është simbolike si çështje në kontestin e pajtimin dhe është reale për familjarët që jetojnë në paqartësi me dekada.

Është e rëndësishmehe që të punohet me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar që të zgjidhen çështjet e mbetura. Çështja tjetër është e rëndësishme për sigurimin e jetesës për të rikthyerit”-ka deklaruar Lajçak.

Tema e dytë e diskutimit, sipas Lajçak është bashkëpunimi ekonomik në mes shteteve dhe krijimi i vendeve të punëve.

“Tema e dytë ishte bashkëpunimi ekonomik. Është me rëndësi që të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik që nënkupton krijim të vende të punës dhe ngritje të standardit jetësorë të qytetarëve të të dyja vendeve”, shtoi Lajçak.

K.S/GotaNews