HomeSport

Përgatitjet e fundit të Kombëtares, Reja zgjedh formacionin e mundshëm kundër Andorrës

Ndeshja e parë e Shqipërisë, kundër Andorrës që është një kundërshtar i lehtë në letër, i ka krijuar luksin Edi Rejës që të eksperimentojë me formacionin që do të hedhë në fushë. Dëmtimet e shumta, kanë bërë që Reja të fusi në lojë lojtarë të rinj dhe ndryshime të mëdha në ekip.

Në pritje të konfirmimit të FIFA-s për aktivizimin e sulmuesit Florian Kamberi, Reja ka provuar titullar kosovarin, i cili është hera e parë që grumbullohet me Kombëtaren shqiptare. Vetëm pak ditë më parë ai u pajis edhe me pasaportë shqiptare, duke i hapur kështu rrugën aktivizimit me fanellën kuqezi.

Kuqezinjtë zhvilluan vetëm një seancë gjatë paradites së djeshme në Durrës. Shqetësimi i stafit për një dëmtim të Balajt mori një përgjigje pozitive pas rezonancës që bëri sulmuesi të hënën. Shtatlarti shkodran nuk ka ndonjë problem serioz në kofshë, kështu që do të jetë në dispozicion të Rejas.

Nga ana tjetër, Memushaj ka zhvilluar një përgatitje të diferencuar nga grupi, por që nuk rrezikon të mungojë në dy ndeshjet e fundit. Mesfushori vlonjat ka marrë një goditje në brinjë gjatë ndeshjes së fundit në Serinë B, ndërkohë që po kalon edhe një gjendje gripale.

Me skemën 3-5-2, mbrojtja pritet të përbëhet nga Ismajli, Gjimshiti dhe Veseli. Ndërsa në mesfushën me 5 nga krahët do të luajnë Roshi dhe Memolla. Skuadra plotësohet me dyshen Manaj-Kamberi. Në seancën e djeshme, skuadra rezervë përbëhej nga Mihaj, Dermaku, Trashi, Hysaj, Selahi, Qose, Memushaj, Seferi, Balaj dhe Uzuni. Në portë ndaj Andorrës titullar pritet të jetë Etrit Berisha.


TË NGJASHME