HomeLajmi i Fundit

Përgjigjet kryeministri Rama: Bojkoti i futbollit teatër, të gatshëm për zgjidhje

Për herë të parë që prej vendimit për të bojkotuar kampionatin e ri të futbollit, Federata Shqiptare dhe Liga Profesioniste e Futbollit kanë marrë një përgjigje nga kryeministri Edi Rama në lidhje me kërkesat për ndryshimin e ligjit të sportit.

Kreu i qeverisë e konsideroi teatër këtë hap të marrë nga komuniteti i këtij sporti ndërsa u shpreh se futbollistët trajtohen si skllevër, me klubet që funksionojnë në informalitet të plotë.

“Futbollistët, të vazhdojnë të trajtohen si skllevër, në informalitet të plotë. Të marrin rroga më të mëdha sesa të gjithë të tjerët në këtë vend dhe të jenë të pasiguruar. Të deklarohen sikur janë punonjës fasonësh, me rrogë minimale nuk mund të vazhdojë”, tha Rama.

Në një kohë kur klubet presin uljen në tryezë për plotësimin e 4 kushteve që të rikthehen në fushë, dialogu u la i hapur nga kryeministri Rama por me zgjidhjen që nuk duket të jetë e lehtë.

“Nuk jam unë që do të kërkoj bisedën dhe nuk jam unë që do të shqetësohem se ata bojkotojnë vetveten”, përfundoi kryeministri.