HomePolitikë

Përgjimet e “BILD”/ Kryemadhi: Janë vetëm një pjesë e puzzle-it gjigand të …

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, nëpërmjet një postim në facebook ka reaguar pas publikimit të audiopërgjimeve në gazetën “BILD”, për dosjen 339 dhe 184.

Kryemadhi shkruan se  përgjimet e publikuara janë vetëm “një pjesë e puzzle-it gjigand të bashkëpunimit të krimit të organizuar me zyrtarët e Rilindjes, të të gjitha niveleve”.

Ajo thotë se krimi i organizuar, sipas saj është ulur këmbëkryq në vend, ndërsa thekson edhe një herë se nuk do të ketë asnjë hap pas nga aksioni i opozitës.

Postimi i plotë:

Faktet e bëra publike nga gazeta gjermane ‘Bild’, i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes.

Këto fakte janë vetën një pjesë e puzzle-it gjigand të bashkëpunimit të krimit të organizuar me zyrtarët e Rilindjes, të të gjitha niveleve.

Unë kam denoncuar publikisht me fakte, që në tetor të 2017, lidhje të tjera të elementëve kriminalë direkt me Edi Ramën.

Në fotografi mund të shikoni Edin të rrethuar nga “stafi” i tij elektoral në qarkun e Durrësit. Këto incizime nuk janë rastësi, as të vetmet prova për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Ato shtrihen kudo nga Jugu në Veri. Nga Shkodra në Dibër. Nga Elbasani në Lezhë. Nga Vlora në Berat. Nga Tirana në Fier. Kudo në të gjithë Shqipërinë.

Për çdo shqiptar është më se e qartë:

Krimi i organizuar është ulur këmbëkryq në kutitë e votimit, në Parlament, në karrigen e Kryeministrit, në qeveri.

Zgjedhjet, Parlamenti, Kryeministri dhe Qeveria janë ilegjitime.

Koha e këtij Kryeministri ka mbaruar! Dorëheqja është e vetmja rrugëdalje e tij.

Popullin nuk e ndal dot askush të thotë sot fjalën e tij dhe t’i rikthejë legjitimitetin zgjedhjeve, parlamentit, qeverisë, që sot janë marrë peng nga bandat e Rilindjes.

Asnjë hap pas!


TË NGJASHME