HomeLajme

Përkujtohet 20-vjetori i masakrës në tregun e Mitrovicës

Janë përkujtuar viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë, që ndodhi 20 vjet më parë në tregun kryesor, në qendër të qytetit të Mitrovicës, kur forcat serbe hodhën disa granata, ndërsa tregu ishte përplot me njerëz, pasi që atë ditë ishte ditë tregu në qytetin buzë Ibrit.

Si pasojë e hedhjes së granatës nga kriminelët serbë, në treg mbetën të vdekur gjashtë persona, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa lëndime të rënda dhe të lehta morën 128 shqiptarë.

Përfaqësues të institucioneve komunale me në krye Faruk Mujka, nënkryetar i komunës, përfaqësues të institucioneve e asociacioneve të tjera, familjarë të martirëve dhe qytetarë që atë ditë kishin marrë plagë të ndryshme, u tubuan në vendin e ngjarjes për të nderuar viktimat dhe për të kujtuar këtë ditë.

Nënkryetari Mujka, tha se 13 marsi i vitit 1999 ishte një ditë e tmerrshme, pasi që në tërë tregun shiheshin viktimat e vdekura e të plagosura.

“Ne emrin tim personal dhe të institucioneve komunale jemi mbledhur këtu që së bashku me ju të ndajmë dhimbjen e cila ndonëse vitet po kalojnë, ajo nuk po zbehet sepse është e thelluar në mendjen tonë, kur dihet se aty humbën jetën më të dashurit tanë dhe shumë bashkëqytetarë të tjerë të pafajshëm, si dhe për vet faktin që drejtësia akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit. Kjo ditë nuk do të harrohet asnjëherë, por do të kujtohet përgjithmonë në mënyrë që gjeneratave të reja tu tregohet se çka ka qenë në gjendje të bëjë armiku ndaj popullit tonë të pafajshëm”, tha ndër të tjera nënkryetari Mujka, njofton komunikata nga zyra për informim e komunës së Mitrovicës.

Në vendin e ngjarjes, ku 20 vjet më parë kishte ndodhur atentati folën Sabedin Uka, Sadije Musliaj, të cilët kishin pësuar rëndë, sepse u ishin dëmtuar këmbët, duart e pjesët tjera të trupit. Ata kërkuan nga institucionet e shtetit që të bëjnë më shumë për ta, pasi jeta e tyre është mjaft e rëndë.


TË NGJASHME