HomeSociale

Përplasje për shkollat e reja në Kodër-Kamëz

Ndërtimi i dy shkollave në një tokë pronë e Bashkisë së Tiranës dhe pranë murit rrethues të Universitetit Bujqësor të Tiranës ka qenë arsye e protestës së studentëve dhe pedagogëve të Universitetit Bujqësor.

Ata nuk duan që shkolla të ndërtohet në atë zonë, por kundër tyre kanë dalë banorët e Kodër-Kamzës.

“30 mijë banorë që jemi në Kodër-Kamëz, Bregu i Lumit dhe të Institutit që nuk kemi shkollë të mesme. Pse mos të kemi dhe ne si gjithë të tjerët?”, tha një banor.

Studenti iu përgjigj: “Familja ime ka një histori këtu, të gjithë kanë një histori këtu. Është universiteti më i vjetër. Kampusi i Universtitetit Bujqësor nuk preket, ta dini që do varrosemi këtu, të gjithë studentët kemi përkrahjen e pedagogëve dhe të gjithë familjarëve tanë. Nuk ka për t’u prekur, aq më tepër procedura është komplet anti-ligjore”.

“Shkolla do të bëhet”, ia ktheu një banore.

Madje, konflikti mes dy palëve u kthye në personale, teksa akuzonin njëri-tjetrin se kishin ardhur në emër të partive: “Ti nuk je student, je i Partisë Demokratike”, “As ti nuk je banor, të ka sjellë Veliaj”.

Ndërkohë që si banorët dhe studentët mbronin argumentat e tyre.

“Unë, ti dhe ai tjetri që do të sjellë fëmijën e tij 7-vjeçar në një shkollë me një student. A duket kjo e logjikshme?”, tha një student.

“Ata që venë në shkollë, shkojnë për të njëjtin qëllim, kështu që nuk ka problem. Bashkëjetojnë shumë bukur”, ia ktheu banori.

Toka ku do të ndërtohen shkollat para viteve ‘90 ka qenë fidanishte e universitetit, por më pas ajo iu rikthye pronarëve të vjetër. Bashkia e Tiranës i shpronësoi duke e blerë këtë tokë dhe aty planifikon ndërtimin e dy shkollave të reja në një zonë ku klasat në shkollat ekzistuese kanë mbi 40 fëmijë.


TË NGJASHME