HomePolitikë

Përplasjet Rama-Basha

Kryeministri Edi Rama u ndal tek reforma zgjedhore dhe tek kërkesa e Lulzim Bashës, i cili i kërkoi  kryeministrit që të zbatojë planin e hartuar prej opozitës ose të hapë krahun. Teksa thumboi liderin e PD, shtoi se nuk mund t’i bindet një urdhri të tillë, por e ftoi atë të ulet në tryezën e reformës zgjedhore për të adresuar  rekomandimet e OSBE-ODIHR. Nga ana tjetër në një dalje për media, Basha tha se fajtori kryesor për dështimin e radhës të integrimit të Shqipërisë është vetë Edi Rama, i cili sipas tij, nuk merr përgjegjësi për drogën, krimin, blerjen e votave, etj.

“Të gjitha ata që e kundërshtojnë Shqipërinë janë edhe kundërshtarë të zgjerimit, do të thotë se Shqipërinë nuk e kanë as armike . Por në momentin që iu del  përpara Shqipërisë, e përdorin si dordolec dhe e përdorin për interesat e tyre politike. Pse mos t’ua themi njerëzve këtu. Ata nuk është se nuk e duan Shqipërinë, por nuk duan  hapjen e Evropës.  Nëse jemi patriotë dhe nëse e kemi të ndarë Evropën nga qeveria socialiste duhet urgjent e bashkërisht të bëjmë reformon si fazë të mbarë dhe të marrin një nga një rekomandimet e OSBE/ODIHR ti zbatojmë.  Ato janë e zeza mbi të bardhë.

Merren dhe futen në ligj dhe me atë letër i thuhet Gjermanisë mike, që është avokate e negociatave sot,  ne i kemi plotësuar kushtet. Flasim edhe për votën e emigrantëve, do ta bëjmë edhe pa ju. Ata që s’janë këtu dhe thonë hap krahun.Unë s’di t’i jap makinës, kjo dihet. Ti thotë këmbësori që rri tek hija e fikut makinës: hap krahun. Me çfarë dekreti hyjnor ma ke dorëzuar planin. Kush je ti, kë përfaqëson?”-tha Rama.

Shefi i qeverisë tha se duhet filluar urgjent me zbatimin e kushteve të vëna nga Gjermania për ngritjen e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

“Miqtë e mi, reformën zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE ta bëjmë menjëherë, urgjent. Ata që janë jashtë nuk e duan, ju e doni (opozita parlamentare). Të bëjmë reformën zgjedhore dhe të presim të plotësohen Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë dhe t’u themi miqve gjermanë i bëmë. Le të përfitojmë pastaj nga qenia e tyre në krah, se kushtet e tyre janë plotësuar. Në këtë pikë biem dakord për Evropën që e doni shumë, dhe e përdorni si shkop për të gjuajtur në krahun tjetër”-shtoi ai.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili tha sot në Kuvend se vendi ynë i ka plotësuar kushtet, por BE nuk është gati të hapë negociatat me Shqipërinë.

Në një dalje për media, Basha tha se fajtori kryesor për dështimin e radhës të integrimit të Shqipërisë është vetë Edi Rama, i cili sipas tij, nuk merr përgjegjësi për drogën, krimin, blerjen e votave, etj.

“Me mënyrë si Rama po mbyll dhe rrezikon rrugën shqiptare të BE shpejt do vijë kur do tregojë me gisht fajtorët, që do të jetë çdokush, opozita, mediat, evropianët, dhe i vetmi që s’do ketë asnjë faj do jetë vetvetja. Është bërë kaq i parashikueshëm, sa fjalimin që ja parashikova para dy muajsh, sapo e mbajti në Parlament. Fajin për dështimin e hapjes së negociatave e ka Rama. Është ky njeri në pushtet prej 6 vitesh, dhe dështimi ka vetëm vulën e tij. Premtoi se do hapë negociatat, por dështoi, siç ka dështuar në çdo premtim tjetër. Ky është dështimi më i fundit në kaosin, ku e ka futur vendin.

Për këtë arsye, Shqipëria është në krizë, shqiptarët po largohen nga vendi, ekonomia është në kolaps, ndërsa kushtet për Shqipërinë shtohen, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit ecin përpara. Nëse do të ishte i vërtetë mashtrimi, që këto vende do të ishin kundër integrimit, pse ata i thonë “PO” Maqedonisë dhe “JO” Shqipërisë. Arsyeja është se Rama ka dështuar në të gjitha fushat, ku Shqipërisë i është kërkuar progres. Edhe sot i iku përgjegjësisë për krimin, drogën, blerjen e votave, për mbrojtjen e kriminelëve nga Pjetri te Kajmaku, duke i ikur përgjegjësisë për mbrojtjen që ju bën personave në listën e zezë të SHBA, si Tom Doshi. Rama jo thjesht mundohet të heqë fajin, por fakton para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se ai nuk e do integrimin evropian.

Cili nga nëntë kushtet reflekton probleme imagjinare të politikës së brendshme gjermane? Cili nga dy kushtet e reja, arrestimi dhe procedimi i personave të kapur duke vjedhur votat, është përgjegjësi e politikës gjermane? Është një përpjekje e varfër, e shteruar, e dalë boje, për ta hedhur fajin diku gjetkë, siç bën Rama gjithmonë, kur kapet me presh në duar. Ky nuk është momenti më për të vazhduar këtë lojë 6-vjeçare, kur përgjegjësi është vetëm Edi Rama”, u shpreh kreu i PD.


TË NGJASHME