HomeSociale

Përshkallëzohet protesta, studentët bllokojnë rrugët

Ashtu siç e kishin paralajmëruar më herët, protestuesit të stacionuar tek Kryeministria, u ndanë në tre grupe, ndërsa në shenjë përshkallëzimi  bllokuan tre pika kyçe në Tiranë. Disa prej protestuesve u nisën drejt Bankës së Shqipërisë, disa të tjerë tek Zogu i Zi dhe disa të tjerë tek kryqëzimi afër Kryeministrisë. Ende nuk dihet afati se sa do të qëndrojnë të bllokuara këto rrugë.

Pavarësisht thirrjeve, ata kanë nënvizuar faktin se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa shtojnë se do vazhdojnë protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.

Ndonëse partitë politike, si në rastin e LSI, u kanë bërë thirrje të rinjve të tyre që të lënë kartat e anëtarësimit dhe t’i bashkohen protestës, studentët kanë pohuar se tubimi nuk do të marrë ngjyrime politike.

Ndonëse prej 13 ditësh të rinjtë që vazhdojnë arsimin e lartë në Tiranë, dhe jo vetëm, protestojnë, kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur të rinjve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut.


TË NGJASHME