HomeLajmi i Fundit

“Peshkatari” i kokainës nga Ekuadori lihet në burg

Gjykata për Krime të Rënda la në masën e sigurisë “Arrest në burg” një prej të arrestuarve për kokainën e kapur në Portin e Durrësit. Në një seancë, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, gjyqtarja Irena Gjoka dëgjoi të dyja palët, ku prokurori Edvin Kondili, duke u bazuar në një sërë provash, kërkoi caktimin e arrestit në burg pa afat për Altin Mysilhakën, ndërsa mbrojtja e këtij të fundit një masë më të lehtë. 

Mysilhaka akuzohet për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit kriminal.

Gjatë seancës së djeshme, mësohet se i riu, i cili rezulton të jetë edhe peshkatar, nuk ka folur, ndërsa në ditët në vijim pritet të jepet masa e sigurisë edhe për personin tjetër të arrestuar, Ardian Begën.

“Policia bëri arrestimin e dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, për veprat penale ‘Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal’”, njoftoi Policia.

Hetimet për sasinë e drogës të kapur në Durrës kanë nisur që në muajin gusht, kur autoritetet greke, të iniciuara nga zyra e DEA-s amerikane, kanë konstatuar drogën në kontenierët e nisur për në Portin e Durrësit.

Ata e lejuan një pjesë të drogës të kalonte dhe operacioni vazhdoi nga pala shqiptare, që ka mbajtur në vëzhgim për disa kohë kontenierët dhe subjekte të ndryshme, derisa në Port u paraqitën dy persona për të marrë sasinë me kokainë.