HomeSociale

Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, vettingu rrezikon kandidaten

Problemet me pasurinë do të testojnë edhe një herë gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Regleta Panajoti, njëherësh edhe kandidate e për Gjykatën Kushtetuese.

Me anë të një njoftimi zyrtar, Institucioni i Komisionerit Publik, njoftoi se pas analizimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, është ushtruar ankim ndaj tij, pasi Panajoti nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e saj në detyrë. Ndër problemet e renditura nga KP në ankim, janë pasaktësia në deklarim, pamjaftueshmëria dhe deklarim i rremë për një apartament në Tiranë.

Kujtojmë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Shkalla e Parë e procesit të vetingut, me anë të vendimit të datës 26 qershor të këtij viti, e konfirmoi në detyrë, duke e konsideruar të besueshme në të tri kriteret gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës. Për rastin e Panajotit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, me anë të një shkrese drejtuar komisionerëve publikë, i ka rekomanduar ankimin e vendimit të KPK.

“Nisur nga hetimi dhe vlerësimi që ka kryer Komisioni për të tria kriteret e rivlerësimit, ankimi i Komisionerit Publik, në rastin konkret, evidenton dhe parashtron si çështje për gjykim rrethana dhe fakte ligjore, lidhur me: pasaktësi dhe pamjaftueshmëri në deklarimin e subjektit, gjyqtares Panajoti, për dy pasuri të paluajtshme, të llojit apartament banimi. Mungesë e dokumentacionit provues mbi burimin e ligjshëm të shumës prej 3.500.000 lekësh, deklaruar si e ardhur nga puna në emigracion.

Gjyqtarja Regleta Panajoti
Gjyqtarja Regleta Panajoti

Mungesë e dokumentacionit provues për të ardhurat në shumën 200.000 lekë. Deklarim i rremë për shitjen e pasurisë së paluajtshme e llojit truall, në Korçë (rrethanë kjo, e cila lidhet edhe me etikën dhe figurën e magjistratit/subjektit të rivlerësimit. Mundësinë financiare e huadhënësit, për t’i dhënë hua subjektit shumën 10.000 euro. Mungesa e burimeve të ligjshme për depozitimin e shumës prej 12.000 euro në vitin 2007, si dhe deklarime të pasakta lidhur me posedimin e likuiditeteve cash ndër vite nga ana e subjektit të rivlerësimit”, shkruhet në ankim.

GARA PËR KUSHTETUESE

Gjyqtarja Regleta Panajoti është kandidate për një vend në Gjykatën Kushtetuese. Së bashku me 5 kanididatë të tjerë, Panajoti kërkon të zërë një nga 4 vendet vakante të shpallura më herët. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, institucioni që bën vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve për Kushtetuesen, e ka lejuar kandidimin e gjyqtares dhe e ka pikëzuar atë të gjashtën në listë, duke i dhënë 80.284 pikë. Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga kërkesat e përfaqësuesve të SHBA dhe Europës, që e shikojnë si zgjidhjen e krizës politike në vend. Kushtetuesja për momentin ka vetëm një anëtar, gjyqtaren Vitore Tusha, e cila ishte e vetmja që i mbijetoi procesit të vetingut në të dyja shkallët e tij. Një pjesë e anëtarëve të kësaj Gjykate dhanë dorëheqjen nga detyra dhe pjesa tjetër, përfshi edhe kreun, Bashkim Dedjen, u shkarkuan nga KPK e KPA.

KANDIDATËT DHE PIKËZIMI

Në mbledhjen e fundit të zhvilluar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëri të ditur së ka përfunduar procesi i vlerësimit të kandidatëve që kërkojnë të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë publike edhe renditjen e secilit: Arta Vorpsi me 89.610 pikë, e ndjekur nga Besnik Muçi, me 81.926 Pikë, Elsa Toska, 85.425 pikë, Fiona Papajorgji 88.783 pikë, Marsida Xhaferllari 81.999 pikë dhe Regleta Panajoti, 80.284 pikë.

Kandidatët e Kushtetueses

1. Arta Vorpsi, këshilltare ligjore
2. Elsa Toska, këshilltare ligjore
3. Fiona Papajorgji, këshilltare ligjore
4. Regleta Panajoti, gjyqtare
5. Besnik Muçi, prokuror
6. Marsida Xhaferllari, ish-kryeinspektore/panorama.al


TË NGJASHME