HomeSport

Pochettino ‘driblon’ çdo pyetje rreth të ardhmes, i fokusuar vetëm në ndeshjen e të shtunës

Pëlqimi i Juventus për trajnerin aktual të Tottenham, është diçka që dihet tashmë, megjithatë ende nuk ka diçka as nga ana e teknikut argjentinas apo nga ana e drejtuesve të “Zonjës së Vjetër”. Së fundmi në një intervistë, Pochettino u shpreh: “Të mendosh në këto momente për gjëra personale është e pahijshme, është turp. Nuk jam kaq i rëndësishëm, ka gjëra më të mëdha që na presin. Jam i përqendruar 200% te finalja e Champions League, pas finales ka kohë për të folur për këto gjëra”.

I vendosur përballë 200 gazetarëve, Pochettino, ka ditur si ti driblojë të gjitha pyetjet e bëra në drejtimi të së ardhmes së tij. Ai është fokusuar te ndeshja e së shtunës, në Madrid, të cilën e ka konsideruar si ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij deri më tani. “Mund të shkruajmë historinë, historinë tonë, ti dhurojmë tifozëve tanë, familjeve tona lumturinë më të madhe të mundshme në botën e futbollit. Vetëm finalja e Kupës së Botës është më e rëndësishme”, ka theksuar Pochettino.

Këtë sezon në Premier League, Tottenham ka humbur çdo përballje me Liverpool, megjithatë, ka mbetur edhe një sfidë e fundit për tu luajtur, ajo për finalen e Champions League. “Nuk besoj se do të jetë një sfidë Klopp kundër Pochettinos apo një betejë taktike, mendoj se diferencën do ta bëjnë emocionet. Finalet nuk luhen duke kthyer kokën pas. Kane? Duhet edhe një javë që të luhet finalja, jam pozitiv për Kane”, është shprehur trajneri i Tottenham.


TË NGJASHME