HomePolitikë

“Policia e Shtetit fuqizohet dhe merr kompetenca të gjyqësorit”- BIRN për paketën “Anti-KÇK”

Përmes një statusi në Twitter, kryeministri Edi Rama njoftoi të premten takimin me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim dhe miratimin e paketës ligjore të prezantuar prej tij si Anti-KÇK -duke i konsideruar ngjarjet njëra pas tjetrës si ‘koincidencë e bukur’.

Më pas, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi për llogari të qeverisë se paketa ligjore u miratua si akt normativ me synimin e “luftës kundër krimit”, por organizatat e shoqërisë civile ngritën pikëpyetje serioze mbi vlefshmërinë e një akti të tillë normativ nga pikëpamja kushtetuese.

Gjonaj deklaroi gjithashtu se paketa e ndryshimeve ligjore është konsultuar me “shërbimet partnere”. Por Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe ajo e Bashkimit Europian i thanë BIRN në dy deklarata të veçanta se nuk kanë marrë një draft paraprak nga qeveria dhe nuk e kanë lexuar ende atë.

Endri Fuga, zëdhënësi i Kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN se kur do të publikohet kjo paketë ligjesh dhe as pyetjes nëse këto ndryshime janë konsultuar apo jo me partnerët perëndimorë të Shqipërisë, SHBA dhe BE.

Shqetësime mbi kushtetutshmërinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi kohë më parë se vendi ka nevojë për paketë ligjore AntiKÇK për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar si dhe ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që qeveria i akuzon se kanë lidhje me krimin e organizuar.

Qeveria refuzoi të publikojë një draft të ndryshimeve të propozuara. Megjithatë, kritika janë ngritur për fuqizimin e Policisë së Shtetit me kompetenca të gjyqësorit si dhe cenimin e të drejtave të njeriut, të mbrojtura nga Kushtetuta.

Në fund të Nëntorit, ndërsa vendi përballej me katastrofën e shkaktuar nga tërmeti, kryeministri sugjeroi se kjo paketë mund të miratohej me akt normativ. Të shqetësuara, një grup me 21 organizata të shoqërisë civile i kërkuan qeverisë në 6 dhjetor të respektojë kushtetutën sa i përket miratimit të ndryshimeve të tilla ligjore.

Pavarësisht shqetësimeve, qeveria e miratoi paketën përmes një akti normativ në një mbledhje qeverie jashtë radhe të premten më 31 Janar.

Ministrja Etilda Gjoni deklaroi: “Vendimet e miratuara sot sjellin ndryshime në ligjin Anti-Mafia, Ligjin e Policisë së Shtetit, Ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara si dhe Kodin Penal. Të gjitha këto ndryshime së bashku me ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” , janë tashmë vendimmarrje të Kuvendit të Shqipërisë.”

Por organizatat e shoqërisë civile thonë se Kushtetuta nuk lejon ndryshime me procedurë të përshpejtuar të ligjeve të rëndësisë së veçantë, si Kodi Penal, ndërsa ndërhyrja e paralajmëruar e policisë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve bie ndesh me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.

“Duke e konsideruar si paketë të një rëndësie të veçantë që mund të cenojë respektimin e të drejtave të shtetasve, organizatat e mësipërme bëjnë thirrje që diskutimi i kësaj pakete do duhej të ishte gjithëpërfshirës dhe në respektim të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” deklaruan organizatat.

“Miratimi me akt normativ me fuqinë e ligjit të paketës ligjore antishpifje ka cënuar parime të rëndësishme kushtetuese,” thuhet më tej në deklaratë.

Partnerët nuk janë informuar

Kryeministri Edi Rama zgjodhi të shpallë miratimin e kësaj pakete pas një takimi me ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim, ndërsa ministrja Gjonaj sugjeroi se qeveria e ka konsultuar paketën me “shërbimet partnere”, pa shpjeguar se me kë konkretisht.

“Pas një procesi diskutimesh shteruese mes përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, përfshirë këtu edhe zyrën e Kryeministrit, Policinë e Shtetit, shërbimet partnere dhe ekspertët vendas dhe të huaj të reformës në drejtësi, sot kemi miratuar në mbledhjen e Qeverisë, paketën ligjore Anti-KÇK,” deklaroi Gjonaj.

Gjithsesi, Ambasada e SHBA dhe ajo e BE-së në Tiranë thanë se nuk e kanë lexuar ende paketën ligjore të miratuar.

Pyetur nga BIRN, një zëdhënës i Ambasadës Amerikane tha”Nuk kemi pasur mundësi që ta studiojmë variantin më të fundit të legjislacionit “Anti-KÇK. Presim që të kuptojmë detajet”.

Ambasada theksoi gjithashtu se “vlerëson shprehjen nga kryeministri të vendosmërisë dhe vullnetit politik për të luftuar murtajën e krimit të organizuar”.

Po kështu, zyra e Delegacionit Europian në Tiranë tha se nuk ishte konsultuar.

“Delegacioni i BE-së nuk e ka parë Aktin Normativ të miratuar sot dhe nuk mund të komentojë në këtë pikë,” tha Delegacioni për BIRN.


TË NGJASHME