HomeLajmi i Fundit

Policia e Shtetit vijon kontrollet për sigurinë në të gjithë vendin, 134 të shoqëruar për 72 orë

Policia e Shtetit

Vijon zbatimi i detyrave të përcaktuara në planin e masave për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë, me mjete të blinduara pa dokumentacionin përkatës, për goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe bllokimin e mjeteve të vjedhura si dhe mbajtjen nën kontroll të personave me precedent kriminal.

FNSH-ja, Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme, Policia Kriminale dhe ajo e Qarkullimit Rrugor, pika kontrolli të lëvizshme, në orare të ndryshme ditën dhe natën, por edhe kontrolle të befasishme për automjetet në lëvizje në të gjitha qytetet e vendit.

Si rezultat i kontrolleve, gjatë 72 orëve të fundit, janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe, një numër i konsiderueshëm automjetesh luksoze, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimit të dokumentacionit.

Njëkohësisht janë shoqëruar në të gjitha Drejtoritë Vendore, 134 persona me precedent kriminal apo pa dokument identifikimi me vete, të cilët qarkullojnë në orët e vona të natës. Këta persona i janë nënshtruar verifikimeve dhe kontrolleve të mëtejshme.

Kontrolle të tilla me afat kohor të shkurtër, do të vijojnë në të gjithë vendin edhe në ditët e ardhshme.