HomePolitikë

Policia sqaron situatën: Jasht vrasjes së Zymberit e Ivanoviqit

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, thonë se operacioni policor i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas. Deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.

“Policia e Kosovës, IPK-ja përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor.”, thotë PK.

Si pasojë e pengesave të krijuara dhe pengimit të veprimeve policore në terren nga ana e disa qytetarëve në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor edhe disa qytetarë të përfshirë në këto raste.

“Institucionet relevante iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme, pasi ky operacion policor ka për qëllim luftën kundër krimit dhe është në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit. Operacioni policor është ende në vazhdim e sipër.”, ka shkruar policia e Kosovës në komunikatën për media.

Gjithashtu, Policia e Kosovës ka sqaruar se operacioni policor i sotëm në veri nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së Heroit Enver Zymeri dhe ish politikanit Oliver Ivanoviq, siç pretendohet në disa media serbe dhe lokale.

“Ashtu siç e kemi potencuar edhe në komunikatën e poshtëshënuar, këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara”, thotë policia.

Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër, si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës një zyrtar policor është plagosur por është jashtë rrezikut për jetë, përderisa deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë si dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë.


TË NGJASHME