HomeLajme

Pompeo takim në Belgjikë para bisedimeve me Putin

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, tha të hënën se Pompeo do të takohet me aleatët evropianë në Belgjikë “për të diskutuar mbi veprimet dhe deklaratat kërcënuese të Republikës Islamike të Iranit kohët e fundit “.

Zëdhënësja Ortagus shtoi se Sekretari i Shtetit “do të vazhdojë të koordinojë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, me synimin që interesat e përbashkëta në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën të jenë të sigurta”.

Fillimisht, Sekretari Pompeo kishte planifikuar të takohej të hënën me diplomatët amerikanë dhe udhëheqësit e biznesit në Moskë, por të dielën vonë pati një ndryshim të planeve të tij dhe në vend të kësaj, ai ndaloi së pari në Belgjikë.

Planet për pjesën tjetër të udhëtimit të diplomatit të lartë amerikan mbeten të pandryshuara.

Sekretari Pompeo shkon të martën në Soçi për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe me Ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov.

Udhëtimi i zotit Pompeo vjen disa javë para një takimi të nivelit të lartë të G-20 në Osaka, të Japonisë, ku do të marrë pjesë edhe Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin.

Udhëtimi i Sekretarit amerikan në Rusi ndodh në mesin e tensioneve mes të dy vendeve mbi Iranin.


TË NGJASHME