HomeSociale

Premiera e shfaqjes “Magjia e Jozef Bider” vjen me 10 maj

Vepra teatrore “Magjia e Jozef Bider” vjen së shpejti premierë për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Shkruar nga autorët Eberhard Streul dhe Otto Schenk me regji nga Milto Kutali vepra do të interpretohet në skenë nga aktori i njohur Arben Derhemi. Monodrama do të jetë premierë në skenë në datat 10, 11 dhe 12 maj për publikun. Me regji nga Mito Kutali dhe interpretim nga aktori Arben Derhemi përmes saj do të përcillen për publikun të vërtetat e teatrit, që shpeshherë nuk thuhen.

Protagonist këtë herë në monodramë aktori Arben Derhemi shprehet se vepra teatrore që do të jetë së shpejti në skenë ka lidhje dhe me realitetin tonë. “Në vepër është një rekuiziter që gjendet rastësisht në një sallë të mbushur me njerëz, në një natë që kanë ndodhur ngatërresa në shfaqje. Por në këtë natë shfaqjen e jep ky vetë për spektatorët. Ai merret me objektet që vihen në shfaqje, por publiku e kujton si aktor. Dhe aty ai fillon dhe tregon të vërtetat e teatrit brenda në këtë shfaqje, ato që duhen thënë dhe ato që nuk duhen thënë. Normal që vepra ka lidhje dhe me realitetin tonë, sepse unë e kam aktualizuar disi këtë vepër për në skenë për teatrin tonë, sepse ky personazh është rekuiziter jo vetëm i teatrit të dramë, por dhe i operës”, tregon për këtë vepër që do të jetë së shpejti në skenë aktori Arben Derhemi.

Porvat për këtë pjesë teatrore në teatër që është shkruar nga autorë gjermanë kanë vijuar sërish me regjisorin Milto Kutali. Por aktori Arben Derhemi mes të tjerave shprehet se edhe me këtë vepër teatrore do të vijojë në skena të ndryshme për publikun. Pra jo vetëm publiku i Tiranës do ta shikojë këtë vepër, por dhe spektatori i teatrit në qytete të tjera. “ Unë me veprat e mia nuk qëndroj vetëm në Tiranë, kjo varet dhe nga kalendari se si do ti kem punët, por me shfaqjen do të vijoj dhe në skena të tjera për publikun”, shprehet Derhemi. As/ regjisor në vepër Aldi Hysotoi, skenograf Mario Malaj, formulimi muzikor Albana Petrela, koreograf Armando Rustemi, mjeshtër efektesh Artur Selmani, grafika Lorenc Buzi si dhe drejtor i projektit Jorke Brokaj.

Aktiviteti artistik

Aktori Arben Derhemi me këtë pjesë rikthehet pas disa muajsh në skenën e Teatrit Eksperimental. Më parë në veprën po me regji nga Milot Kutali ajo me titull “Maskuar” ai ishte protagonist në skenë së bashku me disa aktorë të tjerë. Edhe këtë herë aktori e vlerëson bashkëpunimin me regjisorin Kutali, që si pohon dhe vetë po vijon në fushën e teatrit. Arben Derhemi u diplomua aktor në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1994. Në vitin 2007 u specializua për “Kurimin dhe Menaxhimin Teatror të Qyteteve Antike”, Ancona, Itali. Ende student filloi karrierën si aktor në filmin “Një djalë dhe një vajzë” (Fatosi) të Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros, si edhe në filmin “Këtu bën ftohtë” (Petro) nga Pluton Vasi. Kulmi i suksesit në kinematografi konsiderohet seriali televiziv “Njerëz dhe Fate” (Flori) nga regjisori Ylli Pepo. Nga viti 2000 e në vazhdim ka marrë pjesë në filmat “Ishte Koha për Dashuri”, “Shqetësimet e një obezi”, seriali televiziv “Familjet”, “Home Sëeet Home”, “May”, “ Matanë Lumit”. Në skenën teatrore përmendim role në veprat “Shtrëngata” të Shekspirit “Kalorësit” të Aristofanit, “Kohë e Çmendur” të Ruzhdi Pulahës, “Mbretëresha e Bukur” nga Babis Cikrilopulos, “Mashtruesi i grave” Vasily Ivanovic, “Kërcuri” nga Pëllumb Kulla, “Kopraci”   nga Molier, “Opera për tre grosh” nga Brecht, “Hijet e Natës” nga Vedat Kokona , “Hipokritët” (Aristidhi), “Babai” nga Ruzhdi Pulaha, “Ne të gjithë këndonim Margaritën” nga Bashkim Hoxha, “Trojanët” nga Euripidi, “Poshtë përjetat e Dashurisë” nga Brecht, “Filumena Marturano” nga Eduardo De Filippo, “Menaxheria e Qelqtë” nga Tennesy Williams, “Johan Padan dhe Amerikat” Dario Fo si dhe të tjera vepra.


TË NGJASHME