HomePolitikë

Premtimet për të varfërit/ Sa janë përmbushur përgjatë 10 viteve të fundit

Premtimet për të varfërit dhe përmbushja sipas vlerave buxhetore 

Premtimet për kategoritë e njerëzve në nevojë kanë qenë të përfshira në fokusin e premtimeve kryesore në fushatat zgjedhore të kaluara. Por, nëse nisemi në krahasimin e vlerës buxhetore të alokuar për këto kategori, që i përket jo gjithë buxhetit për politikat sociale, por vetëm politikave të premtuara, sipas Tabelës 17 shikojmë një disbalancë që tregon për një performancë të përmbushjes të jo më shumë se 50% të premtimeve në të tria fushatat. 

Në fushatën e vitit 2009, partitë e majta (PS dhe LSI) kanë premtuar politika sociale shtesë që përkojnë me një kosto të llogaritur në nivelin 8 miliardë lekë për 4 vite. PD, si parti e krahut të djathtë politik ka bërë premtime që shkojnë në vlerë shtesë për buxhetin sa dyfishi i secilës prej partive të majta. Në fakt, përgjatë periudhës së qeverisjes së koalicionit mes PD dhe LSI nuk u alokuan fonde buxhetore shtesë më shumë se gjysma e vlerës së premtuar. 

Në fushatën zgjedhore 2013, nisuar nga qëllime të përfitimeve elektorale, të tria partitë tashmë premtojnë shtim të buxhetit për realizimin e premtimeve sa dyfishi i asaj çfarë kishin premtuar në zgjedhjet e vitit 2009. 

Qeverisja e koalicionit të majtë megjithëse rezulton me një rritje të buxhetit në vlerë abosolute për politikat sociale nuk ka arritur dot të jetë si nivel përmbushje as në nivelin e përmbushjes së qeverisjes së kaluar. 

Në fushatën e vitit 2017, përsëri premtimet mbeten në nivele të larta shtimi të buxhetit, por të krahasueshme si vlera premtimesh me ato të zgjedhjeve të vitit 2013. 

Në qeverisjen që ende është në muajt e fundit të saj nuk shikohet shitm buxheti as në vlerë absolute, por edhe si nivel përmbushje më shumë se dy zgjedhjet e kaluara. 

Në gjithë këtë analizë vërejmë se premtimet nisen më së shumti nga nevojat elektorale dhe për të maksimalizuar votën e qytetarëve, por nuk kanë në bazë të tyre vlerësimin real të mundësive të përmbushjes së premtimeve që japin. 

Një analizë e thelluar, bazuar në studime dhe kërkime mundet që të orientojë premtimet për këtë sektor më afër nevojave të ngutshme, por edhe për të administruar më mirë gjithë procesin e premtimeve që krijon te qytetari perceptimin e mungesës së besimit në çdo proces zgjedhor të ri. 


TË NGJASHME