HomePolitikë

Premtimet për uljen e taksave dhe si u përmbushën ato nga tre qeveritë e fundit

Premtimet për uljen e taksave dhe si u përmbushën ato nga tre qeveritë e fundit 

Në premtimet e PD dhe LSI në 2009 janë edhe premtimet fiskale që zënë një pjesë të madhe të premtimeve të zgjedhjeve të vitit.  

Por, si vajti fati i premtimeve dhe efekti i tyre gjatë qeverisjes Berisha 2? 

Në aspektin e optimizimit të ekonomisë, premtimi më i përgjithshëm por me mjaft peshë për rritjen e investimeve të huaja në ekonominë e vendit duket se nuk ka arritur të jetë më shumë se 2.8 miliard Euro në 4 vitet e qeverisjes së PD dhe LSI, ndërsa u premtuan 8 miliard Euro. Llogaritjet tona tregojnë se investimet faktike kanë dhënë një kontribut prej 4 miliard lekë në buxhet, nëpërmjet arkëtimeve të taksave të konsumit, si dhe tatimit mbi të ardhurat, përfshirë edhe taksat kombëtare dhe ato vendore. 

Politika fiskale e premtuar ka dhënë një efekt shtesë në të ardhurat e buxhetit me 20 miliard lekë. Shtesa vjen kryesisht nga efektet e taksave nacionale (15 miliard lekë),  kontributet e sigurimeve (10.2 miliard lekë), si dhe tatimit mbi të ardhurat personale (2.8 mld. Lekë). Por nga ana tjetër, edhe pse janë bërë përjashtime për TVSH ato nuk kanë dhënë efektet e pritshme pasi shtesa është vetëm 1.9 miliard lekë, por që më së shumti është ndikim nga rritja e konsumit nga investimet. Po kështu edhe tatim fitimi ka një rezultat negativ me minus 2 miliard lekë. Po të përfshijmë në analizën e fakteve të buxhetit edhe diskutimin lidhur me ndikimin e taksës së sheshtë vlen të thuhet se shtesa e saj është e pakët ndër gjithë nevojat që ka patur buxheti për të ardhura. Në tërësi, taksa e sheshtë ka dhënë një efekt rezultant (±) me jo më shumë se 800 milionë lekë. Kjo qeverisje nuk arriti dot të përmbushte programet lidhur me luftën ndaj informalitetit. Kjo politikë bashkë me antikorrupsionin mbeti sfidë që nuk u adresua dot sipas premtimeve të dhëna edhe pse treguesit janë më të ulët se pasardhësit1

Në zgjedhjet politike të vitit 2013 gjithashtu pati premtime të mëdha për investimet e huaja dhe zhvillimin e ekonomisë. Pas fitores së zgjedhjeve nga koalicioni i majtë dhe krijimi i Qeverisë Rama 1 rezultoi se premtimet e dhëna dhe rezultati fiskal nuk u arrit edhe në vitet 2013-2017. 

Në aspektin e optimizimit të ekonomisë, premtimi me peshë për rritjen e investimeve të huaja në ekonominë e vendit duket se nuk ka arritur të jetë më shumë se 3.6 miliard Euro në 4 vitet e qeverisjes se PS dhe LSI edhe pse është 800 milion Euro më shumë. Por, disa investime janë firmosur në fund të mandatit të qeverisjes së kaluar, të tilla si: HEC e Devoll dhe projekti TAP dhe vijojnë për inerci zbatimin në qeverisjen e koalicionit të majtë. Llogaritjet tona tregojnë se ato kanë një ndikim në të ardhurat e buxhetit që ka arritur deri në 7.5 miliard lekë nëpërmjet arkëtimeve të taksave të konsumit nga efekti zinxhir i qarkullimit, si dhe tatimit mbi të ardhurat, përfshirë edhe taksat kombëtare dhe ato vendore. 

Politika fiskale e premtuar ka dhënë një efekt shtesë në të ardhurat e buxhetit me 63 miliard lekë. Ky kontribut, dukshëm më i madh gati 2.5 herë se qeverisja e kaluar vjen më së shumti nga efektet e taksave të konsumit, ku TVSH ka shtuar me 15.8 miliard lekë në fund mandati dhe akciza ka shtuar me 4.3 miliard lekë. Ndikim në këtë rritje të të ardhurave fiskale kanë edhe tatimet mbi të ardhurat, ku tatimi mbi fitimin ka një hyrje shtesë me 10.1 miliard lekë dhe tatimi mbi të ardhurat ka një hyrje shtesë me 3.3 miliard lekë.  

Nëse analizojmë tatimin mbi të ardhurat në këndvështrimin e efekteve nga aplikimi i taksës progresive, shihet se shtesën buxhetore më të madhe e ka dhënë rritja e normës së tatimit të fitimit (nga 10% u rrit në 15%). Tatimi progresiv, i cili u zbatua mbi pagat e sektorit privat dhe publik dha një shtesë në të hyrat buxhetore me vetëm 14 përqind më shumë se i njëjti tatim mbi pagat në qeverinë e kaluar.  

Ndërkohë, taksat nacionale dhe taksat e tjera bashkë me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore kanë dhënë një të ardhur shtesë me 28.5 miliard lekë. Nisur nga fakti që tatimet mbi konsumin kanë një rritje të dukshme më të mirë se në qeverisjen e kaluar (+13.9 miliard lekë) edhe pse janë bërë përjashtime për TVSH dhe një ritëm rimbursimesh më i lartë, kjo tregon për një rritje të konsumit për arsye të investimeve më të mëdha, por edhe nga formalizimi i punonjësve informalë, të cilët tashmë legalizuan konsumin e tyre në ekonominë formale.  

Edhe për këtë qeverisje lufta ndaj informalitetit mbeti sfidë që nuk u adresua dot sipas premtimeve të dhëna bashkë me antikorrupsionin, i cili ka shënuar rritje më të madhe se në qeverinë paraardhëse.  

Në zgjedhjet e fundit politike, të mbajtura në vitin 2017 vijuan nga të gjithë palët premtime dhe programe të pjesshme për politikat ekonomike dhe fiskale, si dhe për ndryshimin e disa taksave. 

Në fakt pas qeverisjes së një partie të vetme u formua Qeveria Rama 2, e cila vijon të mos i ketë mbajtur premtimet e dhëna, sipas edhe gjetjeve si më poshtë. 

Treguesi i zhvillimit ekonomik nuk u rrit sipas premtimeve të dhëna, por edhe te niveli i njëjtë i investimeve të huaja nëse krahasohen me qeverisjen e kaluar. Nga referencat studimore, rezulton se investimet e huaja për 4 vitet e qeverisjes nuk mundet të kalojnë përtej 3.9 miliard Euro. Këto investime llogaritet të kenë dhënë një efekt pozitiv në buxhet me të paktën 7.5 miliard lekë, duke patur parasysh sektorët ku është investuar dhe efektin zinxhir në të ardhurat tatimore. 

Politika fiskale e premtuar në analizën që ne bëmë është kufizuar në të paktën dy vite fiskalë, 2018 dhe 2019 duke marrë në konsideratë situatën e jashtëzakonshme të ndikuar prej bllokimit të ekoonmisë nga pandemia. Për periudhën e analizuar rezulton se politikat e zbatuara sipas premtimeve të vitit 2017 kanë dhënë një efekt shtesë në të ardhurat e buxhetit me 6.9 miliard lekë. Ky kontribut, është ndikuar nga rritja e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale me 9.6 miliard lekë. Në këtë rritje të lartë ka ndikuar efekti i uljes së tatimit mbi dividentin, i cili ka favorizuar pagesat nga kompanitë e mëdha që janë rezidente në Shqipëri në kontribut vjetor prej 7.8 miliard lekë.2 Kjo rritje e të hyrave nga ky tatim ka mbuluar deficitet edhe për TVSH dhe tatim fitimin. Gjithashtu edhe sigurimet shoqëerore dhe shëndetësore kanë dhënë një vlerë të shtuar në buxhet me 5.3 miliard lekë.  

Nëse analizojmë tatimin mbi të ardhurat personale pas më shumë se 6 vitesh nga fillimi i zbatimit të mekanizmit fiskal të taksimit progresiv shikojmë se efekti në buxhet është 16.5 miliard lekë, ku 8 miliard lekë është kontributi vetëm nga tatimi mbi pagat. Nisur nga ky fakt buxhetor, progresiviteti është bazuar dhe rënduar mbi pagat e punonjësve, ku më i rënduari është pjesa e pagave të larta nga sektori privat. Natyrshëm, që ky efekt është i rëndësishëm për të hyrat e buxhetit, por momenti që një taksë rëndon mbi një kategori apo segment taksapaguesish dhe nuk takson gjithë kategoritë e tjera nevojitet të rishikohet për një shpërndarje të re dhe të drejtë të barrës fiskale. 

Ndërsa diskutojmë për besueshmërinë e premtimeve zgjedhore si dhe përmbushjen e tyre nga qeveria ne vërejmë se partitë politike nuk marrin në konsideratë në mënyrë të qartë dhe transparente problemin e informalitetit në ekonomi dhe të vjedhjes apo blerjes së votave, të cilat janë faktorë ndikuesë në hartimin e premtimeve. Ky fakt shikohet nga numri i madh i premtimeve të pamatshme, por edhe atyre që janë të matshme por pjesërisht të besueshme nisur nga mos patja e një reference afatgjatë ku ato të mbështeten. 

Nga analiza e kauzave të partive të mëdha shikohet, se ndërsa janë në opozitë bëjnë premtime që tentojnë ti promovojnë si reformat ë mëdha dhe të zbatueshme Brenda mandatit qeverisës, në fakt mungon llogaridhënia në rastet kur nuk është arritur të përmbushet premtimi. Raste të tilla janë premtimet për pronarët, për legalizimet, për ndërtimin e infrastrukturës ujore, për shëndetësinë, për arsimin, si dhe politika të tjera që lidhen me to. 


TË NGJASHME