HomeLajme

Presidenti dekreton dy ligje të miratuara nga Kuvendi

ilir-meta

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar sot dy ligje të miratuara nga Kuvendi. Bëhet fjalë për ligjin për buxhetin faktik të vitit 2018 dhe atë për masat shtrënguese ndërkombëtare.

“Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, ka dekretuar me shpallje 2 (dy) ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, konkretisht:
1. Dekret nr. 11345, datë 06.11.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 70/2019 “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2018””.
2. Dekret nr. 11344, datë 06.11.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 72/2019 “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””.

Qëllimi i ligjit “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” është vendosja dhe zbatimi i masave shtrënguese ndërkombëtare në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, parandalimit të konflikteve ndërkombëtare, mbështetjes dhe forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit të të drejtave të njeriut, si dhe
arritjes së objektivave të tjerë të sigurisë së përbashkët, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë.

Ky ligj përcakton procedurën e vendosjes, të zbatimit, ndryshimit e shfuqizimit të masave shtrënguese ndërkombëtare, të cilat Republika e Shqipërisë i vendos, zbaton,
ndryshon ose shfuqizon në përputhje me Kushtetutën, të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të, rezolutave të miratuara nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të
Bashkuara, vendimet e miratuara nga organizatat ndërkombëtare, në të cilat ajo është shtet anëtar, si dhe me këtë ligj.

Po kështu ky ligj zbatohet ndaj subjekteve, për të cilat ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në çdo formë të cenimit të paqes, sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, demokracisë, të drejtave të njeriut, të shpallur nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, aktet e organizatave të tjera ndërkombëtare dhe në bazë të këtij ligji, të kryera brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Subjektet, ndaj të cilave vendosen masat shtrënguese ndërkombëtare, sipas këtij ligji, janë: shtetet; personat fizikë; personat juridikë; organizimet ligjor.


TË NGJASHME