HomePolitikë

Presidenti Meta dekoron Moikom Zeqon

“Unë do të jem mik i virtyteve, por jo i fatit”. Përmes kësaj thënieje të kalorësit të krishterimit, Gjergj Kastriot Skënderbeut, poliedriku Moikom Zeqo ka falënderuar Presidentin e Republikës Ilir Meta, i cili i akordoi titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Në një ceremoni të veçantë, ku ishin të pranishëm akademikë, shkencëtarë, diplomatë, arkeologë, studiues, shkrimtarë, kritikë, doktorë, botues dhe përfaqësues të medieve Presidenti i Republikës i dorëzoi titullin “Kalorës”, teksa do të rendiste cilësitë dhe vlerat që një njeri si Moikom Zeqo ka për shoqërinë dhe kulturën shqiptare.

Kishte ardhur momenti që ky vlerësim t’i jepej njeriut, që i është përkushtuar përgjatë gjithë jetës së tij studimit dhe evidentimit të veçorive të identitetit shqiptar. Një “kalorës” që në ç’do kohë, pavarësisht vështirësive, nuk ka reshtur së thëni fjalën e vetë për çështje që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.

Ky titull iu dha me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të tij poliedrik në dobi të artit, kulturës e historisë sonë kombëtare. Me cilësitë e shquara si studiues, talentin dhe aftësitë krijuese i ka ofruar publikut shqiptar dhe të huaj vepra të spikatura në fushën e albanologjisë, muzeologjisë, etnokulturës dhe arkeologjisë, si dhe botime letrare në prozë dhe poezi, të vlerësuara për origjinalitetin krijues. Në mirënjohje të publicistikës së tij të mprehtë, studimeve shumëdimensionale për ndriçimin e gjenezës së kombit, mbrojtjen e monumenteve dhe identitetit tonë kombëtar me përkushtim, kurajë intelektuale, qytetari dhe profesionalizëm të lartë”.

Gjatë dorëzimit të këtij titulli, Presidenti Meta u shpreh se rrallëherë ndodh që një vend të ketë në gjirin e vetë njerëz me një profil kaq të gjerë intelektual. “Jam shumë i lumtur që sot t’i akordoj titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’, një personaliteti dhe një njeriu të veçantë; një intelektuali të shquar; një zëri të fuqishëm dhe pene të fortë e të thellë; një ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë; një mendimtari të vyer për kombin tonë; një studiuesi të paepur; një miku të dashur, zotit Moikom Zeqo, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij”, tha ai, duke shtuar se “për kulturën tonë, Moiko mi mbetet një nga penat më poliedrike dhe prodhimtare, i cili vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm si në fushën e letërsisë e të kulturës, ashtu edhe të studimeve akademike”.

Jo pa të drejtë ai ka renditur gjithë spektrin që Zeqo ka prekur përmes studimesh, krijimtarisë letrare apo angazhimit si qytetar: historian i Antikitetit dhe Bizantit, poet, arkeolog dhe novelist, piktor dhe muzikolog, politikan, intelektual i angazhuar në jetën publike, mendimtar dhe eseist. Pasi mori në dorëzim titullin e lartë, Moikom Zeqo falënderoi Presidentin e Republikës për vlerësimin në këtë përvjetor të shtatëdhjetë të ditëlindjes dhe citoi fjalët e Heroit tonë Kombëtar: “Unë do të jem mik i virtyteve, por jo i fatit”.

Moikom Zeqo është autori i më shumë se 60 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, skenarësh për filma kinematografikë e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht.


TË NGJASHME