HomePolitikë

Presidenti Trump takohet me Kim Jong Un

Duke kaluar kufirin gjatë një takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, Donald Trump vizitoi Korenë e Veriut në zonën e çmilitarizuar.

Pas shtrëngimit të duarve në fshatin kufitar Panmunjom, presidenti Trump kaloi vijën ndarëse të kufirit ndërmjet të dy Koreve. Kimi më pas kaloi kufirin në Korenë e Jugut.

“Më vjen mirë që ju shoh sërish. Nuk e kam pritur kurrë t’ju takoj në këtë vend”, i tha Kim Jong Un presidentit Trump.

“Ishte nder i madh ta kaloj atë vijë”, tha presidenti Trump, i cili e ftoi udhëheqësin Kim në Shtetet e Bashkuara për një takim tjetër zyrtar.

Presidenti Trump tha të shtunën se takimi do të zgjasë vetëm dy minuta. Megjithatë, bashkëbisedimi zgjati me shumë dhe të dy udhëheqësit u futën në një ndërtesë aty pranë për të biseduar më tej.

Disa analistë shprehen se shtrëngimi i duarve në zonën e çmilitarizuar mund të shënojë ripërtëritjen e bisedimeve të bllokuara bërthamore, por të tjerë tërheqin vërejtjen se takimi është thjeshtë një fotografi për legjitimimin e mëtejshëm të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.


TË NGJASHME