HomePolitikë

Priten telefonata nga Shtëpia e Bardhë drejt Tiranës e Prishtinës?

Këshilltari kryesor i Presidentit Donald Trump, John Bolton, duket se do të ketë një agjendë të ngjeshur telefonatash me liderët kryesorë të Tiranës dhe Prishtinës.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se Bolton do tu telefonojë nga Shtëpia e Bardhë 2 kryeministrave në Shqipëri dhe Kosovë, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj. Rama pritet të ketë këtë telefonatë në orët në vijim.

Nuk jepen detaje të këtij komunikimi që konsiderohet i një rëndësisë së veçantë.

Pak javë më parë qeveria shqiptare dhe personalisht Kryeministri Rama mori komplimente e mbështetje publike, nga presidenti Trump, Sekretari i Shtetit, Pompeo dhe këshilltari Bolton për dëbimin e ambasadorit iranian dhe një punonjësi tjetër të ambasadës, nga Shqipëria, në mesin e dhjetorit. Gjithsesi mbetet për t’u mësuar më shumë rreth kësaj telefonate të pazakontë.

Po kështu burime nga Prishtina bëjnë të ditur se Bolton do i telefonojë edhe kryeministrit Haradinaj, shkruan javanews. Bolton është i përfshirë personalisht në procesin e bisedimeve Kosovë –Serbi.

Nuk dihet tematika e bisedimeve nëpërmjet kësaj telefonate, por pak ditë më parë Haradinaj nuk mori në vlerësim kërkesën e ambasadës amerikane për ta hequr taksën. Bolton, pritet që t’i kërkojë heqjen e menjëhershme të taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe. Shefi i Qeverisë kosovare të hënën u dërgoi shteteve të QUINT-it një letër ku nënvizoi kushtet që ai ka për ta hequr taksën.


TË NGJASHME