HomeSport

Problemet gjatë menaxhimit të ndeshjeve, “përjashtohen” nga Superiorja arbitrat e FIFA-s

Edicioni futbollistik në Shqipëri për vitin 2020, nisi me një vrull të madh jo për rezultatet e marra, por më shumë për vendimet e arbitrave. Gafat dhe gabimet e njëpasnjëshme tensionuan situatën në elitën e futbollit shqitpar, duke bërë që klubet të ankoheshin pa kursim ndaj gjyqtarëve të ndeshjes. Kulmi arriti me Bylisin të cilët kërcënuan me tërheqje nga gara, ndërsa nga ana tjetër presidenti Duka i “tërhoqi” veshin sektorit të arbitrimit, ndërsa në ambjentet e FSHF-së u zhvillua dhe një mbledhje për situatën.

Sipas rregullave të futbollit jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë, emrat e arbitrave që gabojnë dhe më pas dënohen nga Komisioni nuk bëhen të ditur në media. Megjithatë në Shqipëri emrat që gabuan diheshin, ndërsa pezullimi i tyre u vu re në javën e 20-të ku nuk arbitruan asnjë ndeshje të Superiores.

Si asnjëherë më parë, arbitrat që mbajnë stemën e FIFA-së ngelën në klasë dhe madje u përjashtuan prej saj. Afati? Ende nuk dihet. Kujtojmë që Juxhin Xhaja nuk gjykon që prej dhjetorit, ndërsa sfida e fundit është ajo mes Kukësit dhe Teutës 4-0. Këtë javë në Superiore mungonte gjithashtu Enea Jorgji dhe Eldorian Hamiti. Pezullimet dhe dënimet nuk janë ndalur vetëm tek kryesorët, teksa edhe asistentët që mbajnë stemën e FIFA-s nuk ishin pjesë. Përmendim këtu Ilir Tartaraj, Ridigert Çokaj, Dojando Myftaraj Denis Rexha, Rejdi Avdo. Të gjithë munguan këtë javë, ndërsa rikthimi në gjykim mbetet për tu parë.


TË NGJASHME