HomeSociale

Procedurat për bashkimin familjar në Itali

Thjeshtohen procedurat për bashkimet familjareItali. Tashmë të gjithë personat e interesuar mund të marrin shërbimet dhe asistencën e duhur në kryerjen e procedurave të nevojshme për bashkimin familjar me të afërmit e tyre që jetojnë në Itali nëpërmjet pjesëmarrjes në projektin “[email protected]”.

Në një intervistë për “Dita” përfaqësuesja e Patronatit “Acli Tirana”, Alma Beqiri tregon rrugën që duhet të ndiqni në zhvillimin e procedurave përkatëse për bashkimin familjar.

Sipas saj, ky projekt u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që janë në pritje apo të pajisur me një “Nulla Osta” nga autoritetet përkatëse në Itali, të cilët duhet të paraqesin një kërkesë për vizë për bashkim familjar pranë autoriteteve konsullore italiane, qoftë në Tiranë, apo edhe në Vlorë, sipas përkatësisë gjeografike.

Beqiri thekson se çdo interesuar mund të shkruajë në adresën e emailit: [email protected] , si dhe në numrin e celularit 00355/675383, nga ku do të marrë ndihmën dhe udhëzimet e nevojshme për vijimin e procedurave të bashkimit familjar, pa asnjë lloj pagese .

Çfarë është ky projekt?

Nëpërmjet këtij projekti ofrohet ndihma e duhur për të gjithë personat që duan të bëjnë bashkim familjar me të afërmit e tyre në Itali. Ky projekt financohet nga “Fondi për Azilin, Migracionin dhe Integrimin”, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale. Për zbatimin e këtij projekti janë angazhuar 4 patronate.

Projekti synon të kualifikojë dhe të lehtësojë rrugën e bashkimit familjar për fëmijët, bashkëshortët dhe prindërit e shtetasve që kanë aplikuar për këtë procedurë. Konkretisht, projekti vë në dispozicion të përfituesve një sistem shërbimesh duke i kushtuar një vëmendje të veçantë çështjeve të tilla si: njohja e gjuhës italiane, njohja e kulturës qytetare, studimit të trashëgimisë kulturore dhe vlerave të Italisë.

Si do realizohet?

Është parashikuar të realizohet në disa hapa. Nis me orientimin fillestar për të vlerësuar kompetencat, aftësitë dhe qëndrimet e përgjithshme të subjekteve të përfshira, ofrimin e asistencës në menaxhimin e dokumentacionit në lidhje me procedurat e hyrjes, trajnimin e gjuhës, sigurimin e  edukimi qytetar-kulturor.

Gjithashtu, ofrohet edhe organizimi i laboratorëve dhe seminareve për studim më të thellë të temave të trajtuara, si e dhe akses në një platformë online informacioni dhe trajnimi në distancë, i cili lejon përmirësimin e përdorimit dhe përshtatjen e përmbajtjes së propozuar.

Bazuar në nevojat e përfituesve, është parashikuar edhe mbështetje individuale, si për shembull ofrimi i shërbimeve të lartpërmendura në shtëpi. Në Shqipëri janë dy patronatet që po kujdesen për zbatimin e aktiviteteve të veçanta dhe realizimin e projektit në tërësi, bëhet fjalë specifikisht për Patronatin “Acli Tirana”, si dhe “Inas”.

Cilat janë përftimet që do kenë pjesëmarrësit në këtë projekt?

Projekti “[email protected]” parashikon mbështetje për të gjithë ata qytetarë shqiptarë, në pritje apo të pajisur me një “Nulla Osta” nga autoritetet përkatëse në Itali, të cilët duhet të paraqesin një kërkesë për vizë për bashkim familjar pranë autoriteteve konsullore italiane, qoftë në Tiranë apo në Vlorë, sipas përkatësisë gjeografike.

Pjesëmarrja në këtë projekt lejon të vendosësh kursin e bashkimit familjar në një  kontekst bashkëpunimi të rëndësishëm midis institucioneve italiane, që përfshin: Ministrinë e Brendshme, për kompetencat e saj në fushën e emigracionit, Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale, Drejtorinë e Përgjithshme për Imigracionin dhe Politikat e Integrimit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, nëpërmjet Përfaqësive Diplomatike dhe Konsullore të të gjitha vendeve të përfshira.

Çfarë shërbimesh konkrete ofrohen?

Pjesëmarrja e përfituesve në aktivitetet e propozuara paraqet një mundësi të çmuar: për të marrë ndihmë të drejtpërdrejtë në menaxhimin e dokumenteve dhe procedurave të nevojshme për hyrjen në Itali, gjithashtu për të fituar aftësi qytetare, organizuar sipas katër fushave kryesore tematike: kushtetutën italiane, të drejtat e grave dhe familjes, të drejtat e punëtorëve dhe punëtoreve, si dhe të drejtat e të miturve.

Po ashtu jep një ndihmesë të madhe në aftësitë gjuhësore duke ndjekur një kurs të strukturuar, i zhvillohet përmes një aplikacioni funksional shumëgjuhësh ku përmbajtja e propozuar do të përshtatet në bazë të gjuhës mëmë të përdoruesit. Kjo gjë do të bëjë të mundur arritjen progresive të nivelit A1 dhe A2, në përputhje me dispozitat e Kornizës së përbashkët Evropiane e referencës për gjuhët (CEFR), si dhe për të promovuar ato aftësi dhe kompetenca që janë në gjendje të lehtësojnë pajtueshmërinë e angazhimeve të marra me Marrëveshjen e Integrimit pas hyrjes në Itali.

Çfarë duhet të bëjnë familjarët që i bashkohen aplikantit?

Ata duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive në shërbimet dhe iniciativat e planifikuara, si dhe të përdorin platformën e mësimit në distancë që do të vihet në dispozicion për përvetësimin e aftësive qytetaro-gjuhësore

. U bë një vit tashmë nga takimet e para me përfituesit e këtij projekti dhe të dyja zyrat që po punojnë për realizmin e tij ndajnë të njëjtin mendim: një rrugëtim plot sfida që na ka lejuar të dyja palëve të ndajmë përvoja njerëzore dhe të jemi pjesë e pengesave dhe kapërcimeve të situatave nga më të ndryshme.

Kemi takuar grupmosha të ndryshme dhe realizuar bashkime familjesh, duke përvetësuar përvoja që jemi të gatshëm t’ua vëmë në dispozicion të gjithë të interesuarve për këtë praktikë duke ruajtur si gjithmonë mënyrën tonë të të punuarit me shërbime “falas”.

Kategoritë e familjarëve që mund kërkojnë bashkim familjar me qytetarë shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali janë:

  • Bashkëshortë jo të ndarë ligjërisht, me moshë jo më pak se 18 vjeç.
  • Fëmijë te mitur, qoftë edhe të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar me kusht që prindi tjetër, nëse ekziston, të ketë dhënë pëlqimin e tij.
  • Fëmijë në moshë madhore në ngarkim, në rast se për arsye objektive nuk janë në gjendje të kujdesen për nevojat e tyre të jetesës për shkak të gjendjes shëndetësore që përbën invaliditet të plotë.
  • Prindër në ngarkim, në rast se nuk kanë fëmije të tjerë në Vendin e origjinës apo prejardhjes.
  • Prindër mbi 65 vjeç që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes (ose kur fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të rënda shëndetësore të dokumentuara).

Dokumentacioni i nevojshëm për të gjitha tipologjitë e bashkimit familjar

  • Formulari i kërkesës për vizë (duhet përdorur një formular për secilin aplikant për vizë, i plotësuar në secilën pjesë të tij dhe i firmosur. Në rastin e të miturve, formulari duhet firmosur nga të dy prindërit, (ose kujdestari) pranë Kancelarisë Konsullore).
  • Pasaporta e vlefshme (skandenca e pasaportës duhet të jetë të paktën tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës që kërkohet).
  • Një fotokopje e pasaportës.
  • 2 fotografi të kohëve të fundit të formatit teser.
  • Certifikatë personale (vetëm nëse është kërkesa e parë për vizë, për të verifikuar përkatësinë territoriale të Kancelarisë Konsullore të Ambasadës së Tiranës).
  • Fotokopje e lejes së qëndrimit të vlefshme e qytetarit shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali. Në rast se është e skaduar duhen paraqitur 3 faturat e pagesës për kërkesën për rinovim.
  • Fotokopje e Autorizimit (Nulla Osta) lëshuar nga Sporteli i Vetëm për Emigracionin (SUI).

Në varësi të rasteve, duhet shtuar dokumentacioni i mëposhtëm:

  • Për kërkesat për bashkim familjar nga qytetarë shqiptarë me bashkëshort me qëndrim të rregullt në Itali: certifikatë martese (vlefshmëria 6 muaj).
  • Për kërkesat për bashkim familjar të fëmijëve minoren me prind shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali duhet certifikatë e gjendjes familjare, në rastin kur të dy prindërit janë rezident në Itali, fotokopje e lejes së qëndrimit të prindit që nuk kërkon bashkim familjar, në rast se prindi tjetër është rezident në Shqipëri duhet të firmosë një akt pëlqimi për daljen e fëmijës jashtë shtetit, pranë selisë së Kancelarisë Konsullore në momentin e paraqitjes së kërkesës së vizës), në rast se vetëm një prej prindërve ka të drejtën  prindërore, dokumentacion që të provojë këtë të drejtë. Në rast të bashkimit familjar me fëmijët e bashkëshortes, certifikatë martese.
  • Për kërkesat për bashkim familjar të fëmijëve në moshë madhore në ngarkim (në kushte invaliditeti të plotë): certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i Ambasadës, certifikatë gjendjes familjare.
  • Për kërkesat për bashkim familjar të prindërve me fëmijët duhet certifikatë e gjendjes familjare (trungut familjar) me të gjithë fëmijët, me të gjitha shënimet si dhe ndryshimet e mundshme të gjendjes familjare, fotokopje e dokumentit të qëndrimit (nëse është i skaduar edhe 3 faturat e kërkesës për rinovim) të të gjithë fëmijëve me qëndrim jashtë shtetit (në rast se një apo më shumë se një fëmijë është me qëndrim të rregullt në një Shtet të ndryshëm nga Italia, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore italiane në atë Vend), dokumentacion mbi të ardhura e përgjithshme nga puna, ose/edhe pronësi ose pensioni (deklaratë e zyrës lokale të ISSH që vërteton shumën e pensionit të marrë), dokumentacion që provon të qenit nën ngarkim të qytetarit shqiptar që ka bërë kërkesën për bashkim familjar (fatura transferimi të parave në kohë për një periudhë prej të paktën 6 muaj para kërkesës për vizë etj).
  • Për kërkesat për bashkim familjar të prindërve mbi 65 vjeç që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo të prejardhjes (ose kur fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta, për arsye të rënda shëndetësore të dokumentuara) certifikatë e gjendjes familjare (trungut familjar) me të gjithë fëmijët, me të gjitha shënimet, si dhe ndryshimet e mundshme të gjendjes familjare, fotokopje e dokumentit të qëndrimit (nëse është i skaduar edhe 3 faturat e rinovimit të tij) të të gjithë fëmijëve me qëndrim jashtë shtetit (në rast se një apo më shumë se një fëmijë janë me qëndrim të rregullt në një shtet që nuk është Italia, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore italiane në atë vend), certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i Ambasadës, që të vërtetojë se fëmijët me banim në Shqipëri janë në gjendje të rëndë shëndetësore të dokumentuar dhe nuk mund të kujdesen për prindërit.

TË NGJASHME