HomeSociale

Protesta do vazhdojë, studentët e ngujuar nuk dorëzohen

Grupi i studentëve që është ngujuar te Fakulteti Ekonomik, nuk ka ndër mend të dorëzohet.

Studentët e Fakultetit të Ekonomikut kanë vendosurvazhdojnë protestën. Ata i bëjnë thirrje policisështetit dhe sigurisë private që të mos ushtrojnë dhunë mbi ta. Ndërkohë ftojnë të gjithë studentët që t’i bashkohen kauzës së tyre. Sipas studentëve protesta do të vazhdojë deri sa të plotesohen 8 kerkesat.

Ata u shprehën se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, prandaj do të vijojnë me bojkotin e mësimit, ngujimin në fakultete dhe protestën.

Studentët janë shprehur njëzëri se nuk do të futen në mësim dhe kërkojnë që kryeministri Edi Rama të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre të parashtruara që në fillim të muajit dhjetor, e këtë duhet ta bëjë me ligj, pasi ata shprehen se nëse nuk miratohen me ligj, nuk kanë besim.

“Ligji për arsimin e lartë duhet rrëzuar, Universiteti është i yni dhe tani do të ngujohemi të gjithë. Partitë politike t’i mbajnë larg këlyshët e tyre. Rama të mos guxojë të cenojë kauzën tonë. U bëjmë ftesë edhe pedagogëve të na bashkohen. Ngujimi do të jetë pa afat”, janë shprehur studentët.

Duket se strategjia e studentëve ka ndryshuar, pasi kanë hequr dorë nga protestat në rrugë dhe para kryeministrisë, për të vazhduar bojkotin në auditorët e fakulteteve, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e nisjes së një greve urie, deri në plotësimin e kërkesave nga kryeministri Rama pa asnjë kusht.


TË NGJASHME