HomePolitikë

Protesta e 16 shkurtit, policia parashikon destabilitet, opozita: Skenar i Edi Ramës

Policia e Shtetit paralajmëron se në protestën e 16 shkurtit mund të ketë elementë me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabilitetiShqipëri. Reagon PD: Policia të mos provokojë, skenarët e destabilitetit po organizohen nga kryeministri. Basha i jep ultimatum deri më 15 shkurt Ramës për zgjidhje politike, Rama e kalon me batuta.

Ndërsa pritshmëritë e opozitës për protestën e 16 shkurtit janë të mëdha, Policia e Shtetit iu ka bërë apel forcave politike të shmangin retorikat të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike, ndërsa parashikon edhe “skenarë” të cilët mund të synojnë destabilitet. Për këtë qëllim në një komunikatë për mediat ka bërë thirrje që qytetarët që nuk kanë lidhje me protestën të shmangin lëvizjet në vendin ku do zhvillohet tubimi. “Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri”, thuhet ndër të tjera nga Policia e Shtetit. Ky qëndrim i strukturave të rendit është konsideruar nga opozita si një skenar i kryeministrit Rama për të frikësuar qytetarët, ndërsa theksoi se qytetarët nuk duhet të provokohen nga policia. Tensioni ndihet tre ditë para mbajtjes së protestës së thirrur nga opozita, që do të mbahet përballë kryeministrisë. Edhe vetë opozita ende nuk e ka përcaktuar qartë si do të zhvillohet protesta, por këtë radhë ndryshe nga herët e tjera është konfirmuar se nuk do të ketë fjalime nga ana e liderëve politikë të opozitës. Gjithçka është parashikuar që të jenë në “dorë të qytetarëve”, ndërsa policia nga ana e saj ka lajmëruar se strukturat e rendit do të jenë në numër të konsiderueshëm dhe në përforcim, duke kryer edhe kontrolle në automjete apo evidentuar elementë me precedentë penalë, apo individë që kanë për qëllim krijimin e trazirave. Në deklaratën e policisë thuhet edhe se kjo mund të nxitet “nga palë të treta”, duke nënkuptuar se ka qëllime destabilizimi të vendit nga rryma jashtë Shqipërisë.

Policia, kontrolle për “kriminelë” brenda protestuesve

Tubime dhe protesta politike janë zhvilluar shumë në Tiranë dhe rrethe, por të rralla kanë qenë paralajmërimet e policisë se mund të ketë destabilitet, për më shumë u kanë bërë thirrje qytetarëve që nuk kanë lidhje me protestën që të qëndrojnë “të mbyllur” në shtëpi. “Duke garantuar të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve që manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta. Policia e Shtetit informon gjithashtu se do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë”, thuhet në qëndrimin e policisë. Me paralajmërimin se do të kryhen kontrolle të automjeteve, apo të vëzhgohen individë të cilët mund t’i bashkëngjiten protestës, strukturat e rendit parashikojnë masa të rrepta. Këtu ekziston edhe frika e acarimit të situatës, pasi prania e uniformave blu mund të konsiderohet provokim apo trysni nga ana e protestuesve.

PD: Policia mos provokojë, kriminelët janë në qeveri

Partia Demokratike iu është përgjigjur deklaratave të policisë e cila bëri thirrje të mos përdoret retorikë që nxit dhunën për protestën e opozitës të planifikuar më 16 shkurt. Menjëherë pas qëndrimit të policisë në një dalje për mediat Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se Rama i rrethuar nga zhgënjimi po përhap panik nëpërmjet policisë për protestën e 16 shkurtit duke planifikuar një skenar kriminal. “Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi dhe zemërimi i shqiptarëve, Edi Rama i vetmuar shfaqi sot gjithë pasigurinë e tij, kur urdhëroi policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit. Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal”, tha Bardhi. Numri dy i Partisë Demokratike bëri thirrje për pjesëmarrje masive teksa garantoi çdo qytetar për sigurinë e tij në protestën e 16 shkurtit, pasi sipas tij kriminelët nuk kanë vend pranë qytetarëve, pasi ata ndodhen pranë qeverisë. “Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit pasi e dinë mirë se kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën në qeveri dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet”-tha Bardhi. Në qëndrimin zyrtar PD iu është drejtuar edhe strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit që të qëndrojë larg qytetarëve protestues dhe të mos provokojnë dhe nxisin dhunë. “Paralajmërojmë policinë e Shtetit të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve, të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre përndryshe secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore. Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi, ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën”, deklaroi Bardhi. Deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari në një dalje për media ka komentuar mbarëvajtjen e protestës së 16 shkurtit, e cila është organizuar nga opozita e bashkuar. Edhe LSI reagoi nëpërmjet deputetit Endri Braimllari. Deputeti i LSI-së tha se Policia e Shtetit nuk duhet t’i shërbejë politikës por sigurisë publike. “Nuk ka për detyrë të bëjë politikë. Policia e shtetit të respektojë rendin dhe sigurinë politike dhe mos t’i shërbejë politikës. Ende janë në kërkim 3 drejtues të lartë të policisë së shtetit, të cilët ishin bërë njësh me krimin”-theksoi Braimllari.

 


TË NGJASHME