HomePolitikë

Protesta e opozitës/ Policia merr masa, blindon Tiranën

Pas vendimit të opozitës pak ditë më parë për të shoqëruar çdo seancë parlamentare të të enjtes me protesta para Kuvendit, mesa duket një protestë e tillë do të mbahet në orët në vijim gjatë ditës së sotme.

Kjo duket qartazi edhe nga pamjet e mëposhtme ku Tirana po përgatitet për protestën e sotme, ndërsa policia po merr masa të rrepta sigurie duke vendosur automjetet e rënda në lëvizje për këtë protestë.

Vendimi i marrë nga Opozita për të protestuar çdo të enjte është një vendim i cili do të vijoj të zbatohet deri në protestën e madhe që do të mbahet në datën 13 prill në orën 18:00.

Sot në Kuvend nga ana tjetër do të marrin mandatin dhe tre deputet nga listat e PD-së dhe LSI-së: Adriatik Alimadhi, që është kreu i Ballit Kombëtar, dhe njëherësh aleat i Bashës, Arben Elezi që do të marrë mandatin e Edmond Spahos në qarkun e Elbasanit, dhe Ambra Borova e LSI-së, që do të marrë vendin e lënë në Kuvend nga Agron Çela në Shkodër.

Me tre prurjet e reja në Kuvend, numri i deputetëve që do të ulen në sallë janë 99. Nga opozita e re, vendet më të shumta i ka zënë LSI me 11 deputetë, si dhe Lefter Koka, ndërsa nga PD janë 6 deputetë të rinj, dhe dy përfaqësuesit që nuk lanë mandatin Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi.

Protesta e sotme është në vazhdën e protestave që opozita ka deklaruar se do të organizoje deri në rrëzimin e qeverisë Rama, ngritjen e një qeverie teknike si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.


TË NGJASHME