HomeLajme

Protesta e tregtarëve në Korçë, bashkia: Fermerët të pajisen me NIPT

Bashkia e Korçës ka reaguar pas protestës së sotme të fermerëve, të cilët hodhën prodhimet e tyre në rrugë pasi nuk u lejuan të hynin në tregun e shumicës ku punojnë çdo ditë. Në fakt një konflikt i vazhdueshëm i tregtarëve të shumicës dhe të pakicës me fermerët ka sjellë edhe reagimin e bashkisë që me anë të policisë bashkiake ka nxjerrë jashtë fermerët si nga tregu i shumicës ashtu dhe nga “Markata e Shijes” duke iu kërkuar të pajisen me nipt si biznes dhe jo vetëm si fermerë dhe t’iu përmbahen kushteve dhe marrëveshjes me bashkinë.

Tregtarët e markatos kërkojnë largimin e fermerëve që shesin me shumicë, ndërsa dhe për nënkryetarin e bashkisë Korçë, Kletjon Kita protesta dhe pretendimet e tyre janë të drejta. Nga ana tjetër edhe tregtarët e tregut të shumicës kërkojnë që fermerët të mos shesin me pakicë dhe të pajisen si ata me nipt.

“Nisem aksionin për mos lejimin e tregtarëve në tregun e shumicës. Fermerët duhet të pajisen me nipt dhe të tregtojnë prodhimet në markaton e shijes. Do vijojmë me aksionin për shmangien e përplasjes mes tyre”, deklaroi Kita.
Ndërkohë tregtarët e markatos kanë kërkuar uljen e tarifës së qirasë.
“Duam të ulet tarifa e qirasë, të mbyllet tregu i shumicës sepse po falimentojmë. S’kemi të ardhura të tjera. Bashkia na gënjen. Do përshkallëzojmë protestat”, deklaruan ata.


TË NGJASHME