HomeLajme

Protesta mbyllet për festa. Studentët: Rikthehemi në janar

Nga nesër, sheshi para kryeministrisë do të jetë bosh. Protesta e studentëve ka përfunduar dhe do të kthehet sërish nëse ende nuk do të jenë plotësuar 8 kërkesat e tyre. Kohë kjo që do i lihet kryeministrit Edi Rama për të reflektuar.

“Nga shumica e studentëve të universiteteve është vendosur që të kemi një periudhë pushimi që tani deri në janar, deri në fillimin e shkollës, dhe të hënën e parë që do vijmë do vazhdojmë sërish me protesta. Vendosëm të shkojmë në shtëpi, në një farë mënyrë edhe për të rikuperuar kohën e humbur, për të mësuar, edhe për të pushuar… po edhe festat janë tani afër”, thonë studentët.

“Shpresoj që kryeministri të reflektojë dhe të pranojë ato 8 kërkesat tona dhe ne të vazhdojmë mësimin nëpër fakultete”, shtojnë ata.

Ndryshe nga ata, studenti Klajdi Bello mendon se qoftë dhe i vetëm do të vazhdojë protestën: “Unë jam një nga ata që do të vijojë protestën sot në orën 17:00. Të gjithë ata qytetarë, jo vetëm studentë, kush do të iki të hajë bakllava, të vazhdojë. Protesta do të vijojë, qoftë edhe i vetëm”.

Top Channel transmetonte nga Universiteti Politeknik i Tiranës protestën e parë të studentëve e cila ditët në vijim u përhap në të gjitha universitetet e Shqipërisë.

Studentët e politeknikut kanë qenë të parët, të cilët bojkotuan mësimin dhe më pas studentë të tjerë iu bashkuan duke krijuar kështu një bojkot kombëtar. Prej 17 ditësh, auditorët e këtij fakulteti qëndrojnë bosh dhe si dihet nëse do të vijojnë të jenë të tillë edhe më 7 janar, pas mbarimit të pushimeve të fundvitit.


TË NGJASHME