HomeSociale

Pse u shkarkua prokurorja e Kukësit

Drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit, Alketa Nushi, u shkarkua dy ditë më parë nga detyra, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme në të tre komponentët.

Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e përbërë nga Etleda Çiftja, Lulzim Hamitaj dhe Firdes Shuli. KPK gjeti pasaktësi në deklarimin e pasurisë nga prokurorja Nushi, veçanërisht me disa sipërfaqe toke në Mifol të Vlorës, por edhe në aftësitë profesionale.

Ndërkohë, në një raport të dytë të DSIK, thuhej se ishte siguruar një informacion i ri mbi një kontakt të papërshtatshëm lidhur me një person nën procedim penal. Gjatë seancës dëgjimore, Alketa Nushi tha se raporti nuk kishte të bënte me të dhe se ndihej e turpëruar.

Drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit u penalizua gjithashtu edhe për kriterin e aftësive profesionale. KPK evidentoi se ajo kishte ndjekur standard të dyfishtë në lidhje me masën e sigurisë për dy persona.

Prokurorja Alketa Nushi u shpreh para KPK-së se gjykatat e të gjitha shkallëve kishin lënë në fuqi vendimin e pushimit të një hetimi në vitin 2017. “Mendoj se kam kryer gjithë veprimet e mundshme hetimore”, u shpreh Nushi.


TË NGJASHME