HomeSport

PSG ndëshkon Mbappe dhe Rabiot… vetëm për një pjesë loje

Përballja më e rëndësishme e futbollit francez, sfida epike mes Marseille dhe PSG, u mbyll me suksesin 0-2 të formacionit kryeqytetas, mes një klimë ku tifozët vendas nuk kursyen ofendimet e madje dhe lëshimin e sendeve të forta në fushë.

Ndeshja mori rrjedhën në favor të miqve pas futjes në fushë të sulmuesit Kilian Mbappe, një prej lojtarëve që u ndëshkua fillimisht nga trajneri Tomas Tuchel.

Futbollisti i kombëtares franceze ishte lajmëruar për të luajtur në formacionin titullar së bashku me Adrien Rabiot, por u lanë jashtë si ndëshkim për thyerjen e disiplinës. Të dy lojtarët më pas u futën në fraksionin e dytë, me Mbappe që shënoi dhe golin e parë në impiantin “Velodrome”.

“Ishte një çështje disiplinore në hotel para ndeshjes me të dy futbollistët dhe për këtë vendosa të mos i aktivizoj që në fillim. Është vërtet mëkat sepse nuk më pëlqen të luaj pa Mbappe dhe Rabiot, por ishte ndëshkim i nevojshëm”, tha trajneri Tomas Tuchel.

Dy lojtarët në fjalë tani do të duhet të rikuperojnë pozitat për ndeshjen e radhës, atë që PSG do të luajë ndaj vendit të dytë, Lille, të premten në mbrëmje./tch


TË NGJASHME