HomeSociale

Punë ka, por s’ka njerëz; Emigracioni po lë bizneset pa punonjës

Sektorët që sigurojnë punësim masiv si bujqësia, fasoni, turizmi kanë dhënë alarmin për mungesën e fuqisë punëtore, duke ulur pretendimet për kualifikimin. Përfaqësues të tyre pohuan se mungesa e forcës së punës ishte shqetësimi kryesor për aktivitetin në vitin 2019. Pagat e ulëta dhe emigracioni i lartë janë shkaqet kryesore, teksa bizneset kanë mbetur pa zgjidhje. Në dekadën në vijim, INSTAT parashikon se popullsia në moshë pune do të bjerë me ritme më të larta se popullsia e përgjithshme.

Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem madhor për të gjithë sektorët. Përfaqësuesit e industrisë kryesore në vend pohuan se përveç ambientit jo shumë favorizues për sipërmarrjet, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë për të cilën zgjidhjet janë të vështira.
Industria fason, bujqësia dhe turizmi kanë filluar të vuajnë më së shumti mungesën e punonjësve. Por ankesa janë vërejtur në të gjithë sektorët, sidomos në shërbimet publike të mjekësisë.

Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler, pohon se “vala e migracionit po bën që ndërmarrja të zbrazet nga mëngjesi në darkë dhe ty si biznes të duhet të gjesh mënyrën sesi t’i zëvendësosh”. Situata është shumë e dukshme, sidomos në disa zona të vendin si Librazhdi, Puka apo të ngjashme. “Kompanitë sot nuk mund të shkojnë dhe të hapin një filial të ri në këto zona, sepse nuk ka forcë të mjaftueshme pune. Edhe ata që kanë tentuar, janë kthyer sërish në Tiranë”, pohoi ai.

Bujqësia, tkurren punonjësit

Të punësuarit në sektorin bujqësor arritën në 462,282 persona në tremujorin e tretë të vitit 2018, sipas të dhënave administrative të INSTAT. Në krahasim me vitin 2012, numri i punonjësve në bujqësi shënoi rënie me 72,671 persona ose 13%. Sipas metodologjisë së INSTAT, të punësuar në bujqësi konsiderohen edhe personat të cilët punojnë ngastrat e tokës në pronësi, që nuk shesin produktet e tyre, por prodhojnë vetëm për vetëkonsum.

punësuarit në sektorin bujqësor janë tkurrur me më shumë se 13% në 5 vitet e fundit, për shkak se shumica e popullsisë në moshë pune është larguar nga fshati drejt qytetit ose në emigrim. Sektori i bujqësisë është prekur si nga migrimi i brendshëm, ashtu edhe nga emigracioni. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më urbane, teksa edhe plakja e popullsisë dhe emigracioni janë në kurriz të bujqësisë.

Sipas të dhënave të Censusit, në vitin 2011, krahasuar me vitin 1989, popullsia banuese e Shqipërisë është pakësuar në 10 qarqe dhe është shtuar në dy prej tyre: në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit. Rënie më e ndjeshme është vërejtur në Qarkun e Gjirokastrës me 53.7%, në Qarkun e Kukësit 41.6%, në Qarkun e Dibrës 30.6%, në Qarkun e Beratit 36.3% etj. Kurse rritje më e lartë e popullsisë është vërejtur në Qarkun e Tiranës me 300,137 banorë, ose 66.8% dhe, në një masë më të ulët në Qarkun e Durrësit me 44,255 banorë ose 20.2%. Sipas të dhënave vjetore të INSTAT, tkurrja e popullsisë së qarqeve ka vijuar edhe pas vitit 2011 e në vijim.

Fasoni i alarmuar për punonjës

Shërbimi Kombëtar i Punësimit raportoi se në vitin 2017 grumbulloi nga bizneset rreth 48 mijë oferta për punë. Gjysma e tyre, më shumë se 25 mijë, u përkasin fabrikave të fasonit. Sipas të dhënave nga anketa strukturore e ndërmarrjeve, fabrikat e tekstilit dhe këpucëve punësuan 46 mijë persona gjatë vitit 2016, me një rritje vjetore 14% në raport me vitin 2015. Nga ana tjetër, sektori ka kapacitete të zgjerohet gati me 50% në numër punonjësish.

Bizneset e sektorit fason në të gjithë vendin nga Shkodra në Gjirokastër kanë dhënë alarmin se po përballen me mangësi serioze të fuqisë punëtore. Për shkak të përvojës së krijuar, numri i kontratave të reja po rritet me shpejtësi. Këtë e ka treguar edhe rritja e eksporteve në sektor, me 16 dhe 10% në dy vitet e fundit. Nga ana tjetër, gjetja e punonjësve të rinj është bërë një mision i vështirë.

Gjergj Leqejza, administrator i Shqipëria Trikot që ushtron aktivitetin në qytetin e Shkodrës, tha se është bërë shumë e vështirë për të gjetur krahun e punës, për shkak të dy fenomeneve, të lidhura me njëri-tjetrin. “I pari është emigracioni, që i bën një pjesë të njerëzve të ikin jashtë. Nga ana tjetër, vajzat dhe gratë që nuk punojnë, nëse kanë dikë në emigrim, sepse janë emigrantët që sjellin të ardhura. Kjo është tipike për zonën e Shkodrës”, tha zoti Leqezja.

Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler pohoi se vala e emigracionit po vështirëson veprimtarinë e fasonit. Kjo situatë është shumë e dukshme, sidomos në disa zona në vend si Librazhdi, Puka apo të ngjashme. Kompanitë sot nuk mund të shkojnë dhe të hapin një filial të ri në këto zona, sepse nuk ka forcë të mjaftueshme pune. Edhe ata që kanë tentuar, janë kthyer sërish në Tiranë. Vetë profili i biznesit kërkon forcë të madhe pune dhe nuk ia vlen të hapësh një filial, kur ti nuk gjen njerëzit që ke nevojë për ta hapur dhe që të funksionojë ky biznes, thotë zoti Hoxha. “Sot për sot, vetëm Tirana dhe Durrësi janë zonat e vetme ku mund të gjesh krah pune dhe nuk shohim ndonjë dritë të gjelbër në ndonjë zonë tjetër të Shqipërisë, që të kërkosh zgjerim apo të mendosh për një filial të ri”.

Jozef Bazhdari, drejtori i prodhimit në Bella Confex në Shkodër, një ndërmarrje me traditë në sektor, pohon se po has vështirësi për të gjetur punonjës. Zoti Bazhdari thotë se ka nisur kërkimet deri në rrethinat e Lezhës, edhe pse fabrika është në mes të qytetit të Shkodrës. “Po i mbuloj kostot e transportit. Edhe pagat i kam rritur. Jap pagesë minimale 1200 lekë në ditë, ndërsa maksimalja i kalon 1700 lekët. Megjithatë, interesi për të punuar ka rënë”, pohoi ai.

Flamur Hoxha, i cili për shumë vite ka drejtuar Shoqatën e Prodhuesve të Veshjeve, pohoi se mosmirëmbajtja e fuqisë punëtore është sfida më e madhe me të cilën do të përballen bizneset. Vite më parë, fasonët duhet të kishin menduar të krijonin ciklin e mbyllur për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës me pagat. Zoti Hoxha thotë se ka ardhur koha për ridimensionim të pagesave në sektor edhe pse, nga ana tjetër, vendi humb konkurrueshmërinë në këtë pikë, e cila deri më tani ka ndikuar në zhvillimin e tij. Të dhënat e përpunuara nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve tregojnë se të ardhurat nga shitjet e njësive të tekstilit dhe këpucëve janë rritur me rreth 60% nga viti 2010 deri më 2016, ndërsa pagat vetëm me 20%.

Turizmi lë pretendimet për profesionistë, nuk gjejnë njerëz

Hotelet, sidomos në zonat turistike me distancë nga Tirana ku është e përqendruar forca e punës janë në krizë për punonjës. Para pak vitesh, sektori i hotelerisë kishte rezerva të mëdha në lidhje me mungesën e stafeve të kualifikuara, por aktualisht pretendimet e tyre kanë rënë. Mjaft të kenë njerëz se trajtimin e marrin përsipër vetë. “Ka pak krahë pune të interesuar. Mjafton të duan të punojnë. Trajnimet e duhura i kemi realizuar, edhe pse me kosto të larta për ne, pasi me rastin e parë, ose kanë ikur jashtë ose janë zhvendosur në pikun e sezonit në Jug të vendit”- thotë Fatos Çerenishti, drejtues i FAFA Resort në Golem.

Edhe në zonat malore turistike të Valbonës, mungesa e punonjësve ka nisur t’i pengojë bizneset për zgjerim të mëtejshëm. Administratorët e bujtinave atje pohojnë se po përballojnë me sforco shërbimin, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Të rinjtë e zonës janë shndërruar në punonjës sezonalë për vendet e BE-së, duke mos preferuar të punojnë për një pagë mujore 20 mijë lekëshe në hotelet e zonës. Marrja e punonjësve nga qytete të tjera është e papërballueshme teksa, shërbimet mbulohen vetëm me familjarët e bujtinave, të cilët çalojnë në shërbim.

Call center, ikin punonjësit cilësorë

Sektori i call center po vuan në një masë më të moderuar nevojën për punonjës. Sot po vërehen dy lloje emigracioni, ai i njerëzve të varfër dhe atyre që ikin për një jetë më të mirë. Sektori i call center, një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, sidomos i të rinjve, po vuan këtë të dytën. Në nivel numrash, operatorët e tregut pohojnë se nuk po ndiejnë ndonjë problematikë të theksuar për ikjen e punonjësve.

Drejtuesit e Intercom Data Service (IDS), një prej operatorëve më të mëdhenj në vend, me rreth 3 mijë të punësuar, pohojnë se problem për sektorin e tyre është se ata që po ikin janë punonjësit cilësorë dhe me përvojë. Kjo është një pengesë për të rritur nivelin e shërbimit, për të kaluar nga call center në shërbime me vlerë të shtuar.

Shqetësim është fakti që punonjësit cilësorë nuk po ikin për çështje pagese, pasi call center ka nivele pagash shumë më të larta sesa p.sh., industria fason, por ata janë në kërkim të një jete më të mirë. Sipas një vlerësimi paraprak, në përgjithësi nuk po ikin 20- vjeçarët por ata që kanë krijuar një përvojë, kanë një familje të re, apo kanë në plan që të krijojnë familje.

Lorenc Goga, administrator i Facile.it, një kompani që ofron shërbime në web marketing pohoi pak kohë më parë se, gjetja punonjësve shpeshherë është kthyer në një sfidë për aktivitetin. Mungesa e punonjësve të kualifikuar në shërbimet e TIK e kanë penguar atë të nënshkruajë një kontratë të re shërbimi me një kompani të huaj. Kontrata ishte për shërbime të një niveli më të lartë se web marketing dhe pagesat ishin premtuese, por mungesa e punonjësve të kualifikuar për këto shërbime po bëhet pengesë për nënshkrimin e saj. Goga, më shumë se emigracionin, bën me faj sistemin arsimor në vend, që në dekadën e tretë të tranzicionit nuk po mund të përmbushë nevojat e tregut të punës.

Mjekësia po shteron, 78% e doktorëve duan të largohen

Si rrjedhojë e migrimit masiv dhe faktorëve të tjerë, Shqipëria ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë, sipas të dhënave të INSTAT. Shumë njerëz, veçanërisht në zonat rurale dhe fshatra, kanë vështirësi për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor në zonat e tyre. Gjithsesi, mungesa e specialistëve shëndetësorë në vitet e fundit ka prekur edhe spitalet rajonale dhe qendrat universitare.

Shoqata “Together for Life”, e mbështetur financiarisht nga “Friedrich Ebert Foundation Tirana”, ka realizuar një studim në fund të vitit të kaluar, ku ka marrë në pyetje 1000 mjekë lidhur me shkaqet e largimit të tyre nga Shqipëria. Gjetjet e këtij studimi tregojnë se largimi i mjekëve mbetet një faktor shqetësues, i cili përjetohet nga 78% e mjekëve (24% e të cilëve janë gati për t’u larguar menjëherë, ndërkohë që 54% do të largoheshin po t’u jepej mundësia).

Studimi vëren se situata më problematike paraqitet në qendrat universitare, ku mjekët kanë edhe prirjen më të madhe për t’u larguar menjëherë nga vendi (54%), ndërkohë që më e ulëta është në spitalet bashkiake (megjithëse kampioni në këto spitale është më i vogël).
Vihet re një tendencë për largim e mjekëve me gradë shkencore, 40% e të cilëve e konsiderojnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria.
Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.

Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime, 26% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 60% në disa prej shërbimeve. Është shqetësues fakti se ata që ankohen më shumë për mungesa janë mjekët e spitaleve universitare, 56% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 40% mungesa në disa prej shërbimeve. Mjekët në vend ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar.

Sipas studimit, financimi i sistemit, menaxhimi i sistemit dhe mungesa e sigurisë financiare rezultojnë të jenë shkaqet kryesore që ndikojnë në pakënaqësinë e mjekëve të gjinisë mashkullore. Ndërkohë, mjekët konsiderojnë si më problematike financimin dhe burokracitë e sistemit, si dhe mungesën e sigurisë financiare.

Në fakt, 71% e mjekëve shprehen se ata kritikohen më shumë sesa duhet në Shqipëri. Ky mendim është i njëjtë si për gjininë femërore, ashtu edhe për atë mashkullore. Arsyet ekonomike dhe profesionale zënë vendin e parë për mjekët për largimin e tyre nga Shqipëria. Vetëm 1% e mjekëve shprehen se largohen për arsye gjyqësore. Vihet re se numri i grave mjeke që duan të largohen për arsye ekonomike, profesionale dhe gjyqësore është më i lartë se ai i burrave. 50% e mjekëve mendojnë se e ardhmja në Shqipëri nuk është e sigurt./Telegraf/


TË NGJASHME