HomePolitikë

Putin- Erdogan, marrëveshje për të larguar kurdët nga kufiri Turqi-Siri

Forcat siriane dhe ruse do të vendosen në verilindje të Sirisë për të larguar luftëtarët kurdë të YPG –së si dhe armatimet e tyre nga kufiri me Turqinë bazuar në një marrëveshje të arritur të martën, të cilën Moska dhe Ankaraja e konsideruan si një triumf.

Marrëveshja mes presidentëve Putin e Erdogan mbështet rikthimin në kufi të forcave të Presidentit sirian Bashar al-Asadit së bashku me trupat ruse, duke zëvendësuar trupat amerikanët që kanë patrulluar me vite në këtë rajon krah forcave kurde të Sirisë.

Ndërkohë të martën Forcat kurde të Sirisë njoftuan se janë tërhequr plotësisht nga veriu i vendit përpara përfundimit të afatit të armëpushimit që pezulloi për pesë ditë ofensivën turke kundër tyre. Njoftimi vjen ndërsa Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka bërë të ditur se do të rifillojë sulmet nëse ata nuk largohen.

Një zyrtar kurd tha se luftëtarët ishin larguar nga rajoni kufitar me Turqinë. Po kështu një zyrtar i lartë amerikan tha se Mazlum Abdi, shefi i Forcave Demokratike Siriane që dominohen nga kurdët, i kishte thënë Nënpresidentit Mike Pence se të gjithë luftëtarët kurdë janë tërhequr.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se SHBA-ja po punon me Turqinë në mënyrë që armëpushimi pesëditor të shndërrohet në një ndalim të përhershëm të ofensivës turke.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se është bërë një lloj përparimi. E vërteta është tha ai se nuk është në interesin e Turqisë si aleat i NATO-s që të vazhdojë inkursionin kundër luftëtarëve kurdë. Ofensiva nisi në fillim të këtij muaji pasi Presidenti Donald Trump tërhoqi shumicën e trupave amerikane nga rajoni. Kurdët e Sirisë ishin aleatë të SHBA-së në luftën kundër Shtetit Islamik. Por Turqia i konsideron ata si aleatë të separatistëve kurdë që kanë luftuar për kohë të gjatë për autonomi brenda Turqisë.

Në kufirin e tensionuar Turqi-Siri ka zhvillime të reja që pas takimit të udhëheqësit turk Rexhep Tajip Erdogan me Presidentin rus Vladimir Putin në vendpushimin e Detit të Zi në Soçi, në një përpjekje për të hartuar një strategji të re ushtarake për rajonin.

Një zyrtar i lartë i administratës Trump tha se “Uashingtoni po mban në vëzhgim çdo marrëveshje mes dy udhëheqësve (Putin-Erdogan) e cila do të dëmtonte armëpushimin e arritur të enjten e kaluar”.

Përpara njoftimit të kurdëve për tërheqje, zoti Erdogan tha se ndërsa 800 luftëtarë kurdë janë larguar nga zona kufitare, aty vazhdojnë të qëndrojnë rreth 1300 të tjerë.

Zoti Erdogan tha se nëse Uashingtoni, me të cilin u ndërmjetësua armëpushimi pesëditor, nuk e mban premtimin për largimin e luftëtarëve kurdë, Ankaraja do të vazhdojmë operacionin ku e ka lënë dhe me vendosmëri më të madhe, siç tha ai.

Takim Putin-Erdogan mbi situatën në Siri

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk shprehen optimistë se me diskutimet mes tyre do të arrijnë të zgjidhin “çështjet e komplikuara të rajonit”. Dy udhëheqësit u takuan në qytezën bregdetare Soçi për të diskutuar mbi operacionet turke në Sirinë verilindore dhe planet e Turqisë në të ardhmen e afërt:

Presidenti turk mbërriti në Soçi në brigjet e Detit të Zi për takimin me udhëheqësin rus mbi situatën kritike në Sirinë verilindore.
Pasi e përshëndeti homologun turk, presidenti rus nënvizoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve si armë diplomatike në trajtimin e kësaj situate:
“Dua të përcjell shpresën se marrëdhëniet ruso-turke, në nivelet që kanë arritur kohët e fundit, do të luajnë rol për të zgjidhur të gjitha çështjet e komplikuara në rajon,” tha Presidenti Putin.

Nga ana e tij, Presidenti Erdogan u përqëndrua tek objektiva e Turqisë për të arritur synimet e operacionit. “Besoj se takimi ynë do të ofrojë mundësi reale për mbarëvajtjen e operacionit në Siri,” tha udhëheqësi turk.

Para takimit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov kishte shprehur synimet e Presidentit rus për të kërkuar në bisedimet me zotin Erdogan më shumë informacion për planet turke në rajon. Turqia është betuar të vazhdojë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë.

Zëdhënësi Peskov tha se Turqia duhet të marrë leje nga qeveria siriane për të dislokuar forca në territorin sirian, duke sinjalizuar se Moska shpreson që të ketë bisedime mes Turqisë dhe Sirisë lidhur me ndërhyrjen turke në Sirinë verilindore.
Turqia dërgoi trupa në Sirinë verilindore disa ditë më parë në një ofensivë për të luftuar forcat rebele kurde, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të tërhequr trupat nga rajoni. Vendimi është kritikuar nga ligjvënës nga të dyja partitë politike si dhe nga analistë, të cilët paralajmërojnë se tërheqja amerikane do të krijojë një vakum që do të shfrytëzohet nga fuqi të tjera si Rusia.

Analistët thonë se takimi Putin-Erdogan do të sinjalizojë nëse Rusia është e gatshme t’i lejojë Turqisë dorë të lirë në rajon:
“Jam i interesuar të shoh nga ky takim nëse Presidenti Putin do të përpiqet ta frenojë Erdoganin dhe Turqinë në një fare mënyre,” thotë analisti Brian Katulis.

Qindra luftëtarë kurdë mbeten në rajon, megjithë marrëveshjen e armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin amerikan që parashikon tërheqjen e tyre, tha presidenti turk para nisjes për në Soçi. Turqia mund të rifillojë ofensivën sapo të skadojë afati, shtoi ai. Armpushimi pesë ditësh përfundon sonte në orën 19 sipas orës lokale./VOA


TË NGJASHME