HomePolitikë

Qeveria e Kosovës shfuqizon reciprocitetin me Serbinë

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka votuar për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, që u vendosën më 1 prill nga Kurti.

Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit janë hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke i hequr pengesat për procesin e dialogut, në përputhje me zotimet që kemi dhënë para partnerëve tanë ndërkombëtar. Tani presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesin e dialogut. Por ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”, tha kryeministri Hoti.

Hoti shtoi se shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t’i jepet shansë dialogut, por theksoi se nuk mund të japë një datë të saktë se për sa kohë ky vendim do të mbetet në fuqi.

Sipas tij vendimi për shfuqizimin e masave të reciprocitetit është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

“Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtarë që presioni i tyre do të jetë edhe karshi Serbisë, që edhe ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi të heqin ato pengesa për dialog, ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve”, tha Hoti.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME