HomePolitikë

Qeveria e re e Kosovës, Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë presidentit

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë i hap rrugën krijimit të një qeverie të re. Ajo konstatoi se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie në Kuvendin e Kosovës nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese konstatoi që dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet: “Gjykata vendosi që dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 (Shpërndarja e kuvendit) të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të kuvendit ndaj qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re.”

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është përshëndetur edhe nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike që ta respektojnë atë.

“Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese. Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, thotë presidenti Thaci. 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Lista Serbe dhe partitë e komuniteteve joshumicë, kanë arritur marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje. Ndërsa kanë përkrahur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ata u kanë bërë thirrje që partitë politike të respektojnë vendimin e saj.

Vendimi nuk është mirëpritur nga lëvizja Vetëvendosje, ku ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca e ka quajtur “skandaloz”.

“Revolta vjen prej pakënaqësisë së natyrshme, që nuk ka me pasë të votohet më në Kosovë dhe tash e tutje krijohet një sistem politik në të cilin nëse nuk e ke fituar 51 % të votave, nuk ke fituar asnjë votë. Gjithçka më pak se 51 % e votave, ia garanton partnerit të koalicionit që të të rrëzojë kur të dojë dhe të bëjë marrëveshje brenda 25 minutave me partitë opozitare”, tha Glauk Konjufca.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME