HomeSociale

Qeveria miraton listën e praktikantëve në shkollat publike

Qeveria ka miratuar numrin e praktikantëve që do të punojnë me kontratë të përkohshme në institucionet arsimore në vend.

Në mbledhjen e sotme është vendosur që të miratohet numri i praktikantëve me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, i cili është 1 500 (një mijë e pesëqind) praktikantë për të gjitha institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, për një vit shkollor.

“Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, i paguan praktikantit, çdo muaj, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi”, thuhet në pikën 2 të vendimit.

Efektet financiare për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2019 mbulohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në buxhetin e vitit 2019, sipas numrit të praktikantëve të pranuar nga institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, ndërsa Ministria e Arsimit zbaton vendimin, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


TË NGJASHME