HomePolitikë

Rakipllari për reformën zgjedhore: Ishte me detyrim

Forcat kryesore politike arritën sot një marrëveshje për të realizuar me mirëkuptim reformën zgjedhore deri më 15 mars. Një grup prej 4 anëtarësh, përfaqësues të tre partive kryesore Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili ranë dakord për miratimin e reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.

Emisionin Opinion, ka trajtuar pikërisht këtë marrëveshje këtë të martë. Ndërkohë gazetari Robert Rakipllari ka tregua detaje se si u arrit kjo marrëveshje.

“Unë di që bazamenti i kësaj që është arritur sot, është një lloj pakti i detyruar për të nisur diskutimin për rregullat e lojës. Opozita ka ndjekur një strategji të caktuar dhe tani jemi në këtë situatë. Bazamenti i kësaj historie është rezoluta e parlamentit gjerman. Procesi ka vijuar, unë di që në një tryezë që është bërë në Sheraton për reformën zgjedhore ku ka shkuar edhe Ivi Kaso ka patur një ndërmjetësim të fortë amerikan. Zoti Palmer ka patur një bisedë me zotin Basha për këtë takim. Së fundmi negociatori kryesor që ka ulur palët është ambasadori britanik”, tha Rakipllari.

Reforma u ra dakord që të diskutohet dhe hartohet jashtë parlamentit në tryezën politike të partive, dhe produkti i saj konsensual të miratohet pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti.

Në Këshillin Politik të ngritur mes pozitës dhe opozitës marrin pjesë përfaqësues të opozitës së bashkuar, drejtuesit e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, si dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend.

Shumica ra dakord të mos ndryshojë produktin e dakortësuar me opozitën, në Komision apo në seancë plenare. Krahas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, palët ranë dakord të diskutojnë edhe çdo problematikë tjetër zgjedhore, që i shërben arritjes së standardeve zgjedhore ndërkombëtare./ Opinion.al


TË NGJASHME