HomePolitikë

Rama: Dakordësi të plotë me Palmer, ja për çfarë folëm

Kryeministri Rama dhe zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Matthew Palmer, ndajnë qëndrime të njëjta për situatën politike në vend dhe zhvillimet në rajon.

rama

Në kulmin e krizës politike në vend, takimin e parë me politikanët e Tiranës, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, e zhvilloi me kreun e maxhorancës, Edi Rama. Rama shoqërohej në këtë takim nga ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali.

Takimi zgjati rreth 100 minuta, por palët nuk bënë asnjë deklaratë. Kreu i qeverisë, përmes një postimi në “Twitter” bëri një ekspoze të çështjeve që ata diskutuan mes tyre.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/ndihmëssekretarin e Shtetit, Mathew Palmer”, shkruan Kryeministri Rama. Mësohet se zv/ndihmëssekretari i Shtetit ka shprehur interes për ecurinë e Reformës në Drejtësi, për të cilën SHBA ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe, por mbi të gjitha me ngritjen sa më shpejt të institucioneve të reja të drejtësisë.

Gjithashtu, edhe Reforma Zgjedhore mësohet të ketë qenë në fokus të interesit të zyrtarit të lartë amerikan, e cila shihet dhe si mjeti që mund të ulë maxhorancën dhe opozitën në një tryezë dialogu për të dhënë të gjitha garancitë për zgjedhjet e ardhshme. Vendimi i pritshëm nga Këshilli Europian i qershorit për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian mësohet se ka qenë gjithashtu pjesë e bisedës, ku Kryeministri ka renditur të gjitha reformat që qeveria e tij ka ndërmarrë.

Sot, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Matthew Palmer do të takohet me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, por dhe Presidentin Ilir Meta. Vizita e Matthew Palmer të kujton vizitat e njëpasnjëshme të paraardhësit të tij në Departamentin e Shtetit, dy vjet më parë, Hoyt Brian Yee, për t’i dhënë fund krizës politike para zgjedhjeve parlamentare kur opozita ishte vendosur në çadër para Kryeministrisë në bulevard.

Angazhimi i zyrtarit të lartë amerikan në 2017-n ndodhi pas dështimit të negociatorit të Partisë Popullore Europiane, David Mcallister, i cili tentoi pa sukses arritjen e një marrëveshjeje mes palëve, më 25 prill të atij viti. Ultimatumi i Hoyt Brian Yee më 15 maj 2017 se SHBA do të njohin zgjedhjet, edhe nëse PD nuk hynte në to, çoi palën në një marrëveshje më 17 maj për t’i dhënë fund bojkotit dhe protestës në çadër. Hoyt Brian Yee kishte arritur të zgjidhte krizën politike në Maqedoni, duke detyruar opozitën e Gruevskit të pranonte zgjedhjen e Talat Xhaferrit në krye të Parlamentit maqedonas.


TË NGJASHME