HomePolitikë

Rama dhe Kurti në konferencë të përbashkët për shtyp

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti sot me ceremoni zyrtare kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.   
Albin Kurti ka nisur sot vizitën e tij të parë si kryeministër i Kosovës në Tiranë, ashtu siç edhe kishte pohuar më herët në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka falënderuar shtetin shqiptar për ndihmën dhe përkrahjen e pa rezervë për Kosovën.

“Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por po ashtu edhe në paqe pa Shqipërinë, andaj ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21 të ecim bashkë dhe fuqishëm. Dua të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, prodhimtarisë, arsimit, të sigurisë dhe të politikës së jashtme, të ciklat janë fusha ku i kemi preokupimet e njëjta”, tha Kurti.

Albin Kurti para mediave tha se me homologun e tij shqiptar janë pajtuar që të formojmë një komision ndërshtetëror që marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet dy vendeve të zbatohen.

“Vendi i parë që vizitova ishte Prekazi, qyteti i parë që vizitova jashtë Prishtinës ishte Mitrovica dhe shteti i parë patjetër duhej të ishte Shqipëria. Ju falënderoj për mikpritjen dhe bisedën konstruktive. Unë dua që në këtë dekadën e tretë të shekullit 21 të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpu nimit Kosovë-Shqipëri çfarë nuk ka pasur asnjëherë ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës. U dakorduam që të formojmë një komision ndërshtetëror, i përbërë nga ministra dhe deputetë që ato 77 marrëveshje të nënshkruara deri më tani të zbatohen, por edhe të shtohen me marrëveshje të reja”, tha Kurti.

Ai u shpreh i bindur se së bashku me kryeministrin Rama do të dëshmojnë dhe do të avancojnë bashkëpunimin ndërshtetëror në fusha të ndryshme.

Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar nga Kurti realizimin e plotë të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave kapitale ndërmjet dy vendeve. Rama ka thënë se do të vendoset në funksion edhe një komision ndërshtetëror për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve të deritanishme Kosovë-Shqipëri.

“Kemi rënë dakord që të fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive që do të mbahet në Shkodër, sepse e fundit ishte në Pejë. Një vakum mes dy mbledhjeve na imponon që të bëjmë mbledhje sa më produktive. Do të vendosim në funksion një komision ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për t’ia adresuar mbledhjes së dy qeverive në funksion për vendimmarrje të tjera. Kemi diskutuar me kryeministrin edhe për procesin e Berlinit dhe vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore të BE-së në rajonin në tonë, ku për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve. E kam thënë edhe më parë, e thashë edhe sot, që për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe pastaj edhe të mallrave kapitale dhe të shërbimeve, nuk e kemi kryer detyrën tonë drejt të ardhmes”, tha Rama.

Kryeministri Rama është shprehur gjithashtu se është i gatshëm për heqjen e kufirit ndërmjet dy vendeve.

“Jemi të gatshëm që ta heqim kufirin mes dy shteteve dhe për ta bërë faktikisht hapësirën e përbashkët, bashkëpunimi dhe zhvillimi. Ne jemi qind për qind në mbështetje të Kosovës në të gjithë betejën për të çuar përpara njohjes së plotë dhe afirmimit si një shtet sovran dhe demokratik në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet e institucionet”, tha Rama.

Në Pallatin e Brigadave në Tiranë u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin e vendit Edi Rama dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Siç është parashikuar, axhenda e kryeministrit Kurti në Shqipëri do të vazhdojë me të tjera takime me zyrtarë të lartë të vendit, si me presidentin Meta, me kryeparlamentarin Ruçi, me kryetarin e opozitës Basha etj.

Tiranë, Pallati i Brigadave – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ?????

Posted by Edi Rama on Tuesday, February 11, 2020

K.S/ GotaNews


TË NGJASHME