HomePolitikë

Rama fton Bashën për dialog: Gati për gjithçka

“Dialogu është i hapur, unë nuk vë kushte. Unë nuk jam si paraardhësi im këtu, apo si miku im përballë që vë kushte. Ik ti që të fillojmë të flasim. Unë i them kur do të flasim, ai ma kthen ‘ik ti që të fillojmë të flasim’. Me kë do të flasësh ti? Me murin?”, tha Rama.

Gatishmëria për dialog nga kryeministri Edi Rama është artikuluar që nga fillimi krizës, por çfarë mund t’i ofrojë ai opozitës?

“T’i marrim problematikat me radhë dhe të themi, dakord kush janë problemet? Sundimi i ligjit, dakord hajde ta shohim ku, si dhe qysh ne mund ta adresojmë më shumë sesa ç’kemi adresuar me Reformën në Drejtësi. Zgjedhjet, shitblerja e votës? Patjetër, kemi marrë të gjitha masat ligjore. Mund të marrim të tjera, mund të gjejmë mekanizma të tjerë, patjetër… Pra, për këtë bëhet dialogu”, shpjegoi Rama.

Kryeministri dha këtë argument për mosshtyrjen e zgjedhjeve të 30 qeshorit.

“Zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen më 30 qershor. Në këtë pikë, unë s’kam asnjë mundësi reale për të fantazuar sepse është Kushtetuta e Shqipërisë. Nga ana tjetër unë kam nderin e madh të flas në emër të një shumice, që sot është shumicë në Parlament dhe në popull. Treni i 2021-shit vjen shpejt”, tha kryeministri.

Edi Rama thotë se ai nuk ka nevojë për negociim ndërkombëtar, por e ka një koment për qëndrimet e ashpra të artikuluara prej tyre të hënën, në adresë të Bashës dhe Kryemadhit.

“Koha politike deri më 30 qershor është shumë e gjatë. Mesazhet e djeshme kanë qenë nga më rëndat që janë dhënë ndonjëherë nga miqtë dhe partnerët. Kur ju them që kush di të lexojë mesazhe politike dhe diplomatike, ato nuk janë fundi. Janë vetëm fillimi! Në një vend të NATO-s, të kërcënosh të destabilizosh është një kuturisje qorre e një përmase që unë nuk di ta përshkruaj. Nuk mundet dot të merret peng një vend, është e pamundur sot, një vend i NATO-s”, tha Rama.

Moskandidimin e Vangjush Dakos, Edi Rama nuk e lidh aspak me përgjimet e publikuara.

“Zëvendësimi, qoftë i Vangjush Dakos, qoftë i Qazim Sejdinit në Elbasan, është kërkesë e tyre. Prej kohësh, 3 mandate, 12 vite në krye të dy qyteteve të rëndësishme janë shumë, janë shumë”, u shpreh Rama.


TË NGJASHME