HomePolitikë

Rama i përgjigjet akuzave të opozitës për dështimin e negociatave

Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës, sipas të cilave ai është përgjegjës për mos-çeljen e negociatave.

Rama me ironi është shprehur që është faji i tij që Franca dhe Gjermania kanë qasje të ndryshme për këtë vendim, ndërsa shtoi se nëse në vendin e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, do të kishte qenë Nard Ndoka, me siguri që do të kishte siguruar një “PO”.

“Natyrisht që është përgjegjësia ime pse Franca dhe Gjermania kanë dy qasje të ndryshme, dhe s’kam mundur dot t’i bind se cila është rruga e duhur për të qenë në harmoni. Faji im që kanë zgjedhje evropiane, faji im që vendet dërrmuese thonë “PO”, ndërsa Franca dhe dy vendet e tjera thonë “JO”.

Nuk diskutohet se një qeveri me ata që dalin bashkë dhe thonë ne jemi opozita e bashkuar, sot do kishte marrë çeljen e negociatave.

Nëse për shembull në vend të Gentit do ishte Nrad Ndoka, konsensusi do ishte i garantuar, pa filluar fare takimi, madje do ta kishin ftuar dhe në darkë që të dëgjonin se do të ishte e ardhmja e BE.

Këto janë normale dhe unë i mirëkuptoj, por për sa  i përket temës, nuk kanë lidhje me temën ”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë idenë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, pas dështimit me negociatat.

Ai ka thënë që për zgjedhjet të parakohshme as që bëhet fjalë. Kryeministri Rama ka tha se ai ka shumë punë për të bërë dhe se nuk do të kënaqë kërkesat e opozitës që sipas tij nuk kanë asnjë punë për të bërë.

“Votë besimit për të plotësuar një nga pikat apo për të kënaqur ata…?! Ne kemi absolutisht shumë gjëra për të bërë dhe nuk kemi asnjë kohë për të humbur. Kemi plot punë për të bërë, nuk behet fjalë për të kënaqur askënd që nuk ka punë për të bërë apo s’di çfarë pune të bëjë”, tha Rama.

Në konferencën për shtyp Kryeministri Rama pranoi se nuk është më prioritet vota e emigrantëve në zgjedhje dhe se deri në fund të vitit do të punohet fort për të realizuar kërkesat e OSBE/ODIHER në kodin Zgjedhor.

Rama tha se koha kur partitë politikë menaxhonin zgjedhjet ka mbaruar duke lajmëruar një ndryshim thelbësor për sa i përket komisioneve zgjedhore të cilat aktualisht përbëhen nga militantë të partive politike.

Ndërkohë vota e emigrantëve ka qenë një premtim i vjetër i kryeministrit. Kujtojmë që në samitin e Diasporës tha që vota e emigrantëve ka vetëm dy rrugë, ose do bëhet ose do bëhet. Por tani sipas Ramës, nuk do të bëhet


TË NGJASHME