HomeShëndeti

Rama në QSUT: Hap pas hapi modernizimi i shërbimit, punohet çdo ditë për përmirësimin e kushteve

Rezonanca e re magnetike në Shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT është investimi më i ri që sjell pranë qytetarëve teknologjinë më të fundit të ekzaminimit. Një pajisje që përfaqëson të sotmen dhe të ardhmen e teknologjisë, e kanë cilësuar mjekët e këtij spitali, e cila shërben jo vetëm për disgnostifikimin dhe më pas trajtimin e sëmundjeve, por edhe për kërkime shkencore.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shërbimin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitar e “Nënë Tereza”. Mjeku neurokirurg Arben Seferi shpjegon se me anë të saj mund të disgnostifikohen sëmundjet e rralla, të cilat kanë një shkallë më të vështirë ekzaminimi. “Është aparati i vetëm në territorin shqiptar me këtë fuqi, që do të thotë fuqia e aparatit përkthehet edhe në cilësinë e ekzaminimit.

Në cilësinë e ekzaminimit janë aplikuar edhe software të reja, që bëjnë të mundur që të diagnostikojmë sëmundje, të cilat janë më të rralla, që nuk janë të rutinës. Kemi futur spektroskopinë, traktografinë, të cilat mund t’i realizojmë këtu. Për ekzaminimet onkologjike bëhet rezonanca total body që është për të gjithë trupin. Do të fusim sa i përket ekzaminimeve pediatrike – është kërkuar nga shoqata e talasemisë – edhe matjen e ferritinës që mund të realizohet me rezonancën magnetike, e cila ju shton jetën pacienteve, sepse një matje e saj bën një mjekim më kualitativ. Gjithashtu shërben edhe për research për njerëzit që punojnë dhe për studimet për popullatën shqiptare.”rama

Për mjekët me përvojë në fushën e neurokirurgjisë, teknologjia e avancuar është një ndihmë e madhe për analizimin e nevojshëm të sëmundjeve neurologjike. “Sëmundjet neurologjike, siç janë epilepsitë, etj., me këtë teknologji ne do t’i dekriptojmë deri në fund,” – shprehet shefi i këtij Shërbimi, mjeku i njohur, Mentor Petrela.

Ata janë optimistë se standardet e shërbimit në qendrën më të madhe spitalore në vend po përafrohen me ato të qendrave spitalore më të njohura europiane. “Ne jemi kapur nivelin në prag të researchit. Në spitalet universitare të Europës, kjo është e sotmja dhe e ardhmja. Kjo është realizuar me një kërkese që i kam bërë Kryeministrit para dy vitesh.” – u shpreh Petrela.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se gama e përdorimit të pajisjes është më e gjerë sesa vetëm në shërbimin ku ajo është instaluar. “Rezonanca u buxhetua me buxhetin e vitit 2018. U instalua, është kolauduar, tani është futur në funksion. Në Shqipëri kemi tashmë një normë që klasifikohen me vende si Rumania, Hungaria, 7 rezonanca, 24 skanera, 5 angiografe, 3 akseleratorë, që do të thotë se plotësojnë në 80 % të nevojave për këto diagnostika, të cilat janë shumë të rëndësishme, qoftë për diagnostifikimin e patologjive të ndryshme, qoftë për ndjekjen e mëtejshme. E më e rëndësishme, kjo rezonancë nuk i shërben vetëm një shërbimi, pra, jo vetëm neurokirurgjisë. E ndërkohë jemi duke investuar jo vetëm për disgnostifikimin dhe trajtimin, por edhe për research-in, që është një ndër elementët kryesor në QSUT.”

Ministrja shpjegoi se krahasuar me të kaluarën e afërt të pajisjeve ekzaminuese në shëndetësi, e sotmja ofron jo vetëm cilësinë e lartë të tyre, por edhe një sistem të tërë mirëmbajtjeje.4444

“Përveç faktit që ne kishim 4 rezonanca, çfarë është e rëndësishme, të gjitha aparaturat e rënda nuk ishin të mirëmbajtura. Ne u futëm në 2013-n në një sistem të gjithë teknologjisë pa mirëmbajtje dhe pa asnjë element sigurie dhe kolaudimi. Tashmë, ne kemi të gjitha aparaturat në mirëmbajtje, plus po investojmë edhe në aparatura të reja, që do të thotë ulim shpenzimet nga xhepi, pasi qytetarët ishin të detyruar të shkonin në spitale jopublike për të bërë ekzaminime, të cilat praktikisht janë rutinore, duhet të kryhen në spitalet tona Ndërkohë që lista e pritjes është e krahasueshme me vende, të cilat madje nuk i kanë këto nivele të listës së pritjes, pasi ne për rezonancën e kemi deri në 5 javë pritjen, kurse për një skaner deri në tre javë, që janë optimale për listat e pritjes.”

Por ky investim nuk është i vetmi. Një rezonancë e re i është shtuar edhe Spitalit Rajonal të Elbasanit. “Ndërkohë, përveç rezonancës në QSUT, një investim i ri është edhe rezonanca në Elbasan. Për herë të parë instalohet, ka filluar, jemi në 5 ekzaminimet e para, që do të thotë se shtrihet gama e aparaturave, d.m.th., nuk janë të detyruar të vijnë në QSUT, por ndërkohë përmes telemjekësisë mund të konsultohen me mjekët më të mirë, për të patur një eficencë më të lartë.”


TË NGJASHME