HomePolitikë

Rama nesër në Athinë, ja arsyeja e vizitës

Kryeministri Edi Rama do të jetë nesër në Athinë, në samitin mes BE-së dhe vendeve arabe ku do të mbajë edhe një fjalim. Mësohet se gjatë samitit Rama të takohet edhe me kryeministrin grek Mitsotakis, ku do të diskutohet për çështjen e detit dhe çështje të tjera që mbeten temë kryesore mes dy vendeve.

Kreu i qeverise greke i është rikthyer Marrëveshjes së Detit me Shqipërinë të 2009-s dhe ia vendos si kusht Tiranës zyrtare për mbështetje në hapjen e negociatave.

Mësohet se kjo temë, por dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, do të bisedohen në takimin që Kryeministri Rama do të zhvillojë në Athinë të martën me homologun grek Mitsotakis, në kuadër të samitit botëror arab, ku do të marrin pjesë edhe kryeministra të tjerë të rajonit. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në qytetin e Selanikut u shpreh në fjalën e tij se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë nën vëzhgim për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave.

“Duke mos rrezikuar as më të voglin destabilizim në rajon, do të ndjekim me vëmendje fqinjët tanë se si do të përgjigjen ndaj detyrimeve të tyre”, ka theksuar Mitsotakis, duke shtuar se Athina favorizon perspektivën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me kusht që ato të plotësojnë detyrimet e tyre.

“Ashtu si me të gjithë, edhe me Shqipërinë kërkojmë marrëdhënie të mira fqinjësore. Nuk duhet të harrojmë se Greqia ka pritur shumë emigrantë ekonomikë nga Shqipëria, duke dhënë në këtë mënyrë një dorë në rimëkëmbjen ekonomike të saj. Kuadri i bashkëpunimit tonë është tepër i gjerë. Por kusht për progresin e përbashkët, kusht që të hapet në një moment edhe rruga europiane e Shqipërisë, është respektimi i minoritetit grek dhe i të drejtave të tij”, ka deklaruar Kryeministri grek.

Kreu i qeverisë greke, për herë të parë prej ditës kur erdhi në pushtet, ka bërë thirrje edhe për gjetjen e gjuhës së përbashkët në përcaktimin e zonave ekonomike ekskluzive në detin Jon.



TË NGJASHME