HomeSociale

Rama nga shtëpia: Masat shtrënguese do të përshkallëzohen

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një tjetër komunikim në rrjetin e tij social në “Facebook”, ku ndau disa mesazhe të tjera të rëndësishme.

Rama paralajmëroi se masat shtrënguese do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen, prandaj duhet ta ndajmë mendjen mirë që as mund t’i sfidojmë dhe as mund t’i diskutojmë por vetëm duhet t’i zbatojmë ato.

Rama, ndër të tjera tha se “nuk kemi opsion tjetër përveçse t’i mundim zakonet e jetës normale, duke u armatosur deri në dhëmbë me durim dhe duke kërkuar dhe gjetur pozitivitet tek mundësia për të qëndruar në shtëpi, me familjen, me fëmijët, me prindërit kur i kemi pranë nën një çati”.

“Përshëndetje nga Surreli të dashur miq. Shumë faleminderit për mirëkuptimin fantastik që po tregoni. Rastet e shkeljeve sot në Tiranë dhe në Durrës kanë qenë aq minimale sa që me 0.01 % shkelje në raport me 1 milion banorë që jetojnë brenda këtij perimetri të metropolit shqiptar duhet të ndihemi shumë mirë për ndihmën e jashtëzakonshme që po i japim njeri-tjetrit. Do të jetë një luftë e gjatë, që do të na duket shekullore ngaqë nuk jemi mësuar të rrimë në shtëpi, të mos lëvizim me makinë, të mos ulemi me orë nëpër kafene, të mos takojmë njeri-tjetrin, të mos shkojmë të shohim nënë e babë kur jetojnë më vete, e me radhë, e me radhë. Por nuk ka asnjë rrugë tjetër nëse nuk duam dhe nuk duam të shkojmë me këmbët tona si cjapi tek kasapi, sepse nëse nuk duam të bëhemi bashkëfajtorë në lëndimin eapo largqoftë humbjen e të afërmve dhe miqve tanë ne do qëndrojmë në këtë rrugë. Do të luftojmë pa pushim me forcën e zakoneve të jetës normale. Nuk kemi opsion tjetër përveçse t’i mundim zakonet e jetës normale, duke u armatosur deri në dhëmbë me durim dhe duke kërkuar dhe gjetur pozitivitet tek mundësia për të qëndruar në shtëpi, me familjen, me fëmijët, me prindërit kur i kemi pranë nën një çati. Sot që flasim numri i të prekurve ka arritur në 33 dhe duhet të dimë që do të vazhdojë të rritet sepse siç na e shpjegon eksperienca botërore, kurbën e epidemisë së koronavirusit nuk kemi në dorë ta ndalim por vetëm ta ngadalësojmë me masa shtrënguese dhe me këtë luftë të përbashkët të zakoneve të jetës normale. Masat shtrënguese do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen, prandaj duhet ta ndajmë mendjen mirë që as mund t’i sfidojmë dhe as mund t’i diskutojmë por vetëm duhet t’i zbatojmë ato. Ja ku më keni dhe mua, hyr e dil nga brenda shtëpisë, jashtë në ballkon sepse jo vetëm s’ka ofiq dhe as gjatësi që na dallon në këtë mes por edhe shoferët e truprojat nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të lënë familjet e tyre nëse asnjë urgjencë e jashtëzakonshme nuk më detyron mua të dal bashkë me ta”-tha Rama.

Përveç kësaj Rama tha se për ata që abuzojnë me lëvizjen mund ta humbasë patentën përfundimisht dhe për ata që abuzojnë me me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe ilaçeve mund ta humbasë të drejtën të tregtojë.

“Fatmirësisht unë jam dhe i mësuar të punoj shumë online dhe përveç punës nuk më duket aspak keq të kaloj me Zahon kohë që skam pasur kurrë mundësi ta kem, kështu siç e kemi sot. Ju ndjek dhe juve, jo nga makina por nga shtëpia. Më vjen mirë që shumica juaj e keni mirëpritur këtë shtetrrethim të këtyre 3 ditëve dhe 2 netëve. Nuk rri dot pa thënë që më vjen mirë po ashtu se deri dhe vlonjatët nuk e kanë shkelur më shumë se të tjerët, dmth fare pak rregullin e moslëvizjes me makinë në qytet.

Askush nuk e di dhe nuk e thotë dot sa do zgjasë. Nuk do jetë një histori shumë e shkurtër dhe as e lehtë. Më shani mua sa të doni por masat do të zbatohen bashkë me ndëshkimet. Kush do kapet në qarkullim mund ta humbasë patentën përfundimisht dhe të ndalohet të hyjë në kurs për disa vjet. Kush luan me çmimet e ushqimeve dhe barnave mund ta humbasë të drejtën të tregtojë më. Po përpunohet një paketë masash e sanksionesh. T’i gëzohemi manifestimit fantastik të solidaritetit ku po marrin pjesë. Ju përqafoj nga larg dhe mos harroni këshillat”.

K.S/ GotaNews


TË NGJASHME