HomePolitikë

Rama: Të nisë vetting-u i pedagogëve

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me studentët e Universitetit “Fan Noli” në Korçë, paralajmëroi se të gjithë pedagogët problematikë do të vendoset me shpatulla pas muri.

“Pedagogët problematikë do të vendosen me shpatulla pas muri, ndërsa pedagogët e ndershëm dhe profesionistë që janë shumica, unë e kam bindje këtë nuk e them për propagandë, do të shpëtojnë një herë e mirë nga përzierja e të njomit me të thatin dhe trajtimi i të gjithëve njësoj si këmbët e dhisë.

Katranjosësit janë të interesuar që të gjithë të jenë si këmbët e dhisë. Të paaftët dhe injorantët janë gjithmonë të interesuar t’i bëjnë të gjithë njësoj, se kështu kanë statusin e të qenit të barabartë. Këtë e shikon kudo, në politikë, në jetë, në shkollë e kudo.  Kur vjen puna tek arsimi dhe universiteti kësaj duhet t’i vëmë fre që të kemi një rritje cilësore të Universitetit.”

Kreu i qeverisë tha se një herë në vit, studentët do të bëjnë vlerësimin e pedagogëve me metoda siç i ka gjithë bota.

“Janë mbledhur disa pedagogë që deklamojnë gjëra të mëdha, kërkojnë abrogimin e ligjit, kërkojnë disa gjëra dhe thonë të ndalet denigrimi i profesoratit.  Kush po e denigron profesoratin? Në fakt nuk është ky thelbi, thelbi është të ndahen pedagogët e nderuar dhe të respektuar nga sharlatantët, të cilët janë një ndër simptomat më domethënëse të sëmundjes që ka universiteti.”

Kreu i ekzekutivit bëri thirrje se duhet të dialogohet më tepër përsa i takon Paktit për Universitetin, pasi sipas tij vetëm përmes bashkëbisedimit mund të arrihen rezultate.

“Pakti për Universitetin, unë e kam thënë që ditët e para, duhet të flasim. Kjo gjë është shumë përtej asaj që duket dhe këto pika janë të pamjaftueshme. Nëse nuk flasim rrezikojmë të zhbëjmë potencialin e protestës studentore. Deri më tani, vetëm nga komunikimi kemi bërë shumë përmirësime të vendimeve sepse në momentin zero ka patur lloj-lloj kategori studentësh që s’i kemi marrë parasysh sepse kërkesa ka qenë tepër e përgjithshme”, u shpreh Rama duke theksuar faktin se Pakti për Universitetin duhet të implementohet deri në fund.


TË NGJASHME