HomeSociale

Rama thirrje pensionistëve: Do ua zgjidhim ne problemet

Gjatë takimit të përjavshëm me njerëzit që kanë gjetur zgjidhje, pasi i janë drejtuar kësaj platforme, kreu i qeverisë Edi Rama, deklaroi se të gjithë pensionistët do t’i marrin lekët që iu janë mohuar.

Kryeministri iu ka bërë thirrje të gjithë pensionistëve, të cilëve iu është përllogaritur gabim pensioni, që t’i drejtohen platformës bashkëqeverisëse për të zgjidhur problemin e tyre.

“Ne jemi shumë të angazhuar për t’i ardhur në ndihmë të gjithë pensionistëve, që kanë nevojë për rillogaritjen e pensionit. E mira e kësaj pune është që pasi bëhet llogaritja e pensionit do vendoset pensioni në shumën e drejtë, merret gjithë diferenca lekë dore.

Kështu që të gjithë ato lekë të mohuara në disa vite vijnë menjëherë, dhe kjo e shlyen deri diku detyrimin moral të shtetit ndaj pensionistëve. I bëj thirrje të gjithë pensionistëve që kanë një problem, të mos mundohen të shkojnë në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, por t’i drejtohen platformës bashkëqeverisëse, pasi ne zgjidhim me shumë kënaqësi problemin e tyre”, tha Rama.

Të pranishëm në bashkëbisedimin me kryeministrin Edi Rama, në takimin për platformën bashkëqeverisëse, qytetarët kanë treguar problemet konkrete, që kanë hasur me punonjësit e administratës. Mes tyre ishte edhe një shkodran, i cili tha se punonjësit e ALUIZNI-t në këtë qytet janë matrapazë dhe kanë bërë masakër, duke mos iu zgjidhur kurrë hallet qytetarëve.

Ndërkohë, në përgjigjen e tij kryeministri Rama theksoi se Hipoteka e Shkodrës dhe ajo e Vlorës janë dy vrimat e zeza të sistemit, duke paralajmëruar punonjësit e tyre, por edhe të institucioneve të tjera, që ta kuptojnë sa më parë se qytetarët janë të barabartë me deputetët.

Qytetari shkodran: Çdo zyrtari i falet gabimi njerëzor, çdo qytetari nuk i falet. Kam vuajtur shumë, na kanë masakruar. As kërkoj të fluturoj me avion, por jam shumë mirë nëse kam sigurinë e pronës, ilaçe të kontrolluara, spitale. Aty në Shkodër duhet të vësh dorë. “Ti po deshe qëndro këtu deri në orën 3”, kështu më thanë në Shkodër, kur u interesova për pronën, pastaj ika te Kadastra, gjeta të njëjtin shërbim. “Mos ia pafshna bojën më këtij vendi”, i kam dëgjuar vetë tek ALUIZNI, duke mallkuar. Janë matrapazë. Sikur ta kishe mundësinë të pimë një kafe dhe të të shpjegoja një për një, sa kemi vuajtur në shkodër. aty s’ka pas drejtor ALUIZNI asnjëherë. Kam shkuar me mijëra herë, por aty po bëre kërkesë në sportel, është e kotë.

Rama: Kjo është sfida e madhe, sepse të gjitha të tjerat janë më të qarta, ndërkohë që ndërtimi i një administrate serioze nuk është fjalë goje. Nuk është e vërtetë që janë të gjithë ashtu, shumica nuk janë ashtu. Gjithë këto vajza e burra punojnë pa orar për t’iu shërbyer qytetarëve. Shërbimet janë përmirësuar ndjeshëm, por ka jashtëzakonisht shumë për të bërë. Ne kemi bërë maksimumin për të futur ata të ekselencës, por nuk është një proces i lehtë dhe nuk mbyllet shpejt. Kërkon kohë. Vendet që i shohim me admirim dhe kërkojmë t’i afrohemi, e kanë bërë shtetin para qindra vitesh. Hipoteka e Skodrës dhe e Vlorës janë dy vrimat e zeza të sistemit. Në të kaluarën janë bërë masakra të mëdhaja, por edhe më pas nuk kanë pas përmirësime të ndjeshme.

Platforma është ajo që na bashkon dhe ndihmon. Ju zgjidhni problemin, ne identifikojmë njerëzit që duhen larguar. Një gjë është e sigurt, nëse të gjithë qytetarët do ta përdorin platformën, një pjesë e mallkimeve dhe stresit do të avullonte. Gjithkush nga ato zyra duhet ta kuptojë një orë e më parë se kur vjen një qytetar i moshuar, i panjohur, i papërkrahur, është me të njëjtën forcë si një deputet, sepse ti do përballesh pastaj me pasojat.


TË NGJASHME