HomePolitikë

Rama tregon rrugën për qetësimin e situatës, i bën thirrje Ilir Metës

Kryeministri i vendit Edi Rama, nga Patosi ku po zhvillon takimin e radhës elektoral, është shprehur sërish i po të njëjtit qëndrim, për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor duke hedhur poshtë çdo mundësi për shtyje të kësaj date, sikundër ka kërkuar presidenti i vendit.

54568

Edi Rama ka komentuar vendimin e Ilir Metës për të çdekretuar datën e zgjedhjeve, duke ironizuar deklaratat e tij për shqetësim se vendi do të shkojë në konflik civil.

“Të gjithë këta, por Meta më shumë, i fryn konfliktit civil, kthimi i 1997, dhe thotë se  është shumë i shqetësuar deri në pikën që në mes të fushatës ndërhyri duke fshirë firmën e tij me firmën e tij, një marrëzi, por gjithë shqiptarët e kuptojnë…

Nëse është vërtetë i shqetësuar, atëherë le t’i thotë Monikës të qetësohet, t’i thotë Saliut të qetësojë Lulin, dhe nuk ka njeri që del më në rrugë, është kaq e thjeshtë.

Është po kaq e thjeshtë që ne në 30 qershor do të bëjmë zgjedhjet.

Ça arsye kam unë të bredh gjithë Shqipërinë për të bërë këtë fushatë, dhe të dalin kaq shumë njerëz në mes të vapës kudo që shkoj unë, kur në qeveri kemi gjithë ato punë për të bërë, mbështetjen nga parlamenti i shumicës sonë e kemi të plotë, 75 % të nivelit qendrorë e kemi ne, atëherë ku është problemi për t’i shtyrë zgjedhjet?

Nuk kemi asnjë problem ne, por sepse do të ishte shume e përkohshme kjo zgjidhje ndërkohë që ajo që do të vinte pas do të ishte një e keqe shumë e gjatë, që do të zgjateshin gjithnjë zgjedhjet, dhe procesi do të bëhej çështje tekash partish”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Gjithashtu ai shprehet se “Në thelb nuk është shtyrja e zgjedhjeve që ata kërkojnë, është kaosi. Zgjedhjet janë vetëm pengu që ata duan të marrin për ta futur Shqipërinë në një rrugë pa krye”.


TË NGJASHME