HomePolitikë

Rama-Vuçiç dhe Zaev diskutojnë sot për detajet e Shengenit ballkanik

Rama-Vucic-Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, priti dje në qytetin e Ohrit Kryeministrin Rama dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ky është takimi i dytë i tre prej liderëve të Ballkanit Perëndimor. Zoran Zaev, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç janë takuar për herë të dytë brenda një muaji, pas Novi Sadit, për të diskutuar mbi të ashtuquajturin “Shengen Ballkanik”.

Kryeministri Rama, pak pas nisjes për në Ohër, shkroi se: “Në Ohër nisin sot takimet për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal dhe nesër bëhet mbledhja e radhës, ku janë ftuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerët europianë të nismave rajonale”.

Në takim do të diskutohet për zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve midis Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë. Synimi i takimit është gjetja e dakordësisë për një listë masash prioritare, kryesisht në kuadër të masave të “REA MAP”, për t’i zbatuar me ritëm të përshpejtuar brenda 2020 dhe idealisht, para Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit.

Këto masa lidhen me kompletimin e të gjithë kuadrit ligjor dypalësh për realizimin e qarkullimit të lirë mes njerëzve me ID dhe për ato vende, të cilat ende përdorin pasaporta në pikat e kalimit kufitar.

Në takimin e Ohrit do të diskutohen edhe disa masa praktike por me impakt në tregti mes vendeve tona në Ballkanin Perëndimor, përfshi pasjen e një udhërrëfyesi për modernizimin e infrastrukturës së pikave të kalimit aty ku është e mundur, për heqjen e disa procedurave burokratike, të cilat mund të dixhitalizohen etj.

Mbrëmë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ishin të ftuar në darkën e shtruar me këtë rast nga Presidenti Pendarovski. Sot do të mbahet samiti, i cili do të pasohet nga konferenca për shtyp në orën 12:00. Në takim do të marrin pjesë, përveç tre liderëve, edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Denis Zvizdiç, dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuliç. Kosova nuk u bë pjesë as e samitit të dytë rajonal, i organizuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ftesa i është dërguar Presidentit Hashim Thaçi, por ky i fundit e ka refuzuar duke treguar edhe arsyet. Sipas Thaçit, Kosova është anashkaluar qëllimisht nga Serbia në samitin e parë të Novi Sadit dhe ku morën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi dhe Sarajeva është një arsye tjetër që Thaçi përmend për refuzimin e ftesës.

Si President i Republikës së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese. Së pari, Kosova, qëllimshëm, ishte anashkaluar nga Serbia në samitin e parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës“, shkruan Thaçi.

Sipas tij, Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. “Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një samiti të tillë, në të cilin marrin pjesë shtete, që ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur”, shkruan Thaçi.


TË NGJASHME