HomeLajmi i Fundit

Raporti i EUROSTAT/ Shqipëria, me të ardhurat dhe konsumin më të ulët në Europë

Me të ardhurat për frymë që janë sa 31% e mesatares së Bashkimit Europian, Shqipëria është renditur e fundit në Europë dhe për vitin 2018, së bashku me Bosnjë Hercegovinën, sipas të dhënave të reja bëra publike sot nga Eurostat. Megjithatë në krahasim me një vit më parë, ka një përmirësim të lehtë, pasi treguesi është rritur me 1 pikë përqindje, në raport me vitin e mëparshëm, ndërsa në 2017-n ishte 29%.

Por në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, Shqipëria renditet e fundit e vetme, me 38% të mesatares europiane (Bosnja e ka këtë tregues 38%). Për të ardhurat për frymë në rajon, në vend të parë është Mali i Zi, me 48% të mesatares Europiane, e ndjekur nga Serbia (39%), Maqedonia (37%).

Për konsumin individual për frymë, sërish e para është Mali i Zi, me 58%, Serbia (48%), Maqedonia e Veriut (41%). Prej vitesh, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, nuk po arrijnë të bëjnë para në të ashtuquajturin procesin e konvergjencës që nënkupton një rritje më të shpejtë me vendet e zhvilluara në mënyrë që t’i afrohen sa më shumë mesatares së tyre.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një raport të fundit “jeta në traniczion” konstatonte se Shqipërisë mund ti duhen 80 vite që të kapë mesataren e vendeve të zhvilluara të OECD në të ashtuquajturin proces të konvergjenvcës.

Sipas Eurostat, Konsumi individual aktual (AIC) është një masë e mirëqenies materiale të familjeve. Përgjatë ahteteve anëtare të Eurozonës në vitin 2018, AIC për frymë, e shprehur në paritetin e fuqisë blerëse (PPS) ndryshonte nga 56% e mesatares së Bashkimit Evropian (BE) në Bullgari në 134% në Luksemburg. Këto të dhëna, të publikuara nga Eurostat, zyra e statistikave të Bashkimit Evropian, bazohen në paritetin e fuqisë blerëse të rishikuara dhe shifrat e fundit të PBB-së dhe popullsisë.
Dhjetë shtete anëtare regjistruan një konsum për frymë mbi mesataren e BE-së në vitin 2018. Niveli më i lartë në BE u regjistrua në Luksemburg, 34% mbi mesataren e BE-së, përpara Gjermanisë (20% më lart). Ata u pasuan nga Austria, Danimarka, Belgjika, Hollanda, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Suedia dhe Franca me nivele prej 7 deri 17% mbi mesataren e BE-së.

Konsumi për frymë për katërmbëdhjetë shtete anëtare vendoset midis mesatares së BE-së dhe 30% më poshtë. Në Itali, Irlandë, Qipro dhe Spanjë nivelet ishin 10% ose më pak nën mesataren e BE-së, ndërsa Lituania, Portugalia, Çekia dhe Malta ishin midis 10% dhe 20% më poshtë. Sllovenia, Greqia, Polonia, Estonia, Sllovakia dhe Rumania ishin midis 20% dhe 30% nën mesataren. Katër shtete anëtare regjistruan konsum për frymë më shumë se 30% nën mesataren e BE-së. Letonia, Kroacia dhe Hungaria ishin midis 30% dhe 40% më poshtë, ndërsa Bullgaria kishte konsum për frymë më shumë se 40% nën mesataren e BE.

Gjatë tre viteve të fundit, AIC për frymë në raport me mesataren e BE mbeti relativisht e qëndrueshme në shumicën e shteteve anëtare. Sidoqoftë, rritje të dukshme janë regjistruar në Rumani (71% e mesatares së BE në 2018 krahasuar me 65% në 2016), Sllovaki (73% kundrejt 68%) dhe Lituani (89% kundrejt 85%). Në të kundërt, uljet më të dukshme janë regjistruar në Suedi (108% në 2018 kundrejt 112% në 2016) dhe Francë (107% kundrejt 110%). Në vitin 2018, PBB për frymë shprehur në Paritetin e Fuqisë Blerëse (PPS) varionte midis 51% të mesatares së BE në Bullgari dhe 261% në Luksemburg.

Capture 19
Capture 20

/Monitor