HomeSociale

Raporti i Freedom House/ Mediat sociale mjete survejimi dhe manipulimi zgjedhor

Në raportin më të fundit të organizatës me seli në SHBA që vëzhgon demokracinë dhe liritë thuhet se shumë qeveri të botës po i përdorin mediat sociale për të survejuar shtetasit e tyre dhe për të manipuluar zgjedhjet.

“Dy temat tona kryesore të këtij viti ishin të shikonim se si qeveritë po përdorin mediat sociale për të sabotuar vetë zgjedhjet dhe gjithashtu për të monitoruar shtetasit e tyre”, thotë Allie Funk, bashkëautore e raportit të titulluar “Liria në rrjet 2019” (“Freedom on the Net 2019”).

“Zbuluam se faktorët vendas, qofshin qeveritë apo politikanët që kërkojnë të rizgjidhen – realisht përdorin internetin për të sabotuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme në vendin e tyre”, thotë ajo.

Raporti thotë se mjeti i përdorur më gjerësisht është shpërndarja e dezinformimit nga politikanët e së djathtës së largët. “Nuk e di nëse të gjithë e kuptuan se sa shpejt qeveritë do ta përdornin këtë kundër nesh”, thotë zonja Funk.

Por, përpjekjet e qeverive për të shtypur lirinë në internet mund t’iu kthehen kundër. Kësaj vere në Rusi, pasi Kremlini goditi kandidatët politikë të opozitës, protestuesit anti-qeveri përdorën mediat sociale për t’u organizuar.

“Protestuesit ishin plotësisht të ndërgjegjshëm se qeveria po i vëzhgonte apo survejonte, prandaj filluan të përdornin fjalë të koduara për lëvizje të ndryshme protestash, si dhe filluan të organizoheshin në këto platforma për t’u siguruar ndihmën administrative, ushqime dhe ujë protestuesve të tjerë”, thotë zonja Funk.

Raporti thotë se liritë në internet kanë pësuar rënie që nga viti 2009, kur organizata Freedom House filloi ta hartonte këtë raport të përvitshëm.


TË NGJASHME